Kuvendi miratoi me 76 vota pro dhe një abstenim pr/vendimin “Për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të Kuvendit nr.1/2013 për Inspektoren e Përgjithshme të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka.
Më pas Kuvendi përmes votimit të fshehtë votoi dy kandidaturat e propozuara një vit më parë nga Presidenti i Republikës, Zana Xhukën dhe Shkëlqim Ganaj, ku ky i fundit mori 75 vota votat e maxhorancës duke u zgjedhur në krye të ILDKP-së.
Debate për Zana Xhukën, Berisha-Metës: Jeni parti e dezintegrimit
Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate mes deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës për shkak të futjes në rendin e ditës të kërkesës së Komisionit të Ligjit për shkarkimin e kreut të ILDKP-së, Zana Xhuka.
Në nisje të seancës, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, tha se “futja në rend të ditës e këtij akti antikushtetues është shumë e rëndë. Është shkelur rregullorja dhe ju e dini shumë mirë, por këtë e bëni me qëllim”.
Ndërsa ish-kryetari Berisha tha se shkarkimi i Zana xhukës është hakmarrje personale e kryeministrit Rama, ndërsa akuzoi kreun e Kuvendit, Meta, se po shkel rregullat e parlamentarizmit.
“Po e përdor Parlamentin sikur të ishte kopshti yt dhe i Edi Ramës. Ju fusni jashtë çdo rregulli në rendin e ditës shkarkimin e paligjshëm të një zyrtari të lartë të kontrollit të pasurive.
Rama është tërbuar me zonjën vetëm për faktin se ajo guxoi të dërgonte një letër zonjës Basha dhe Ramës, për t’u paraqitur për sqarime rreth pasurisë.
Përgjigja e tij ishte vërsulja me tërbim sapo erdhi në pushtet. Historia e turpit është edhe e juaja zoti bashkëkryetar. Ky nuk mund të quhet më Parlament.
(i drejtohet Metës) Ky është një turp. Çdo ditë e më shumë faktoni se jeni parti e dezintegrimit derisa pranoni gjë të tilla. Ju po sakrifikoni statusin e vendit kandidat. Ju keni interes paratë dhe pasuritë e krimit që vidhni çdo ditë.
A e dini ju se ç’do të thotë mosmarrja e statusit, apo doni të mbetet pengu i juaj dhe Edi Ramës. Ju them unë, në BE nuk ka asnjë qëndrim armiqësor ndaj nesh. Ata kërkojnë standarde”, tha Berisha.
Ndërsa kreu i Kuvendit, në përgjigjen e tij, theksoi se kandidatura e Zana Xhukës për kreun e ILDKP-së ka qenë në kundërshtim me ligjin që në krye të herës.
“ Këtu vërtet ka ndodhur një problem i madh, kur pikërisht në seancë kur do të votohej për dekretin e presidentit (kur u propozua emri i Xhukës) është votuar për një kandidaturë dhe Kuvendi nuk është shprehur për tjetrën. Kjo kandidaturë është në kundërshtim me ligjin dhe këtë ua kam thënë edhe kur kam qenë në koalicion me ju”.
0 comments:
Post a Comment