frroku_5
Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet dhe dorëzon për gjykim dosjen penale ndaj Arben Frrokut, vëllait të deputetit Mark Frroku, për akuzën e vrasjes së kryekomisar Dritan Lamaj, më 24 shkurt 2013 në Tiranë. Sipas konkluzionit të hetimit të prokurorisë, gjatë investigimit 12 mujor, është arritur të provohet se Arben Frroku është organizatori dhe ekzekutori i kryekomisar Dritan Lamajt, në ngjarjen e ndodhur në afërsi të banesës së ish-shefit të Komisariatit nr. 6, në lagjen “Vasil Shanto”. Në dosjen voluminoze theksohet prova më e fortë, dëshmitari që ka parë Frrokun duke qëlluar me automatik dhe se shkaku i ekzekutimit ka qenë një grindje dhe konflikt fizik që kanë pasur disa muaj para atentatit, për të cilën Frroku ka qenë i shoqëruar.


Në dosjen voluminoze, që u dorëzua pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pasditen e djeshme, mësohet se ndër provat kryesore të akuzës, është rrëfimi i një dëshmitari të mbrojtur, emri i të cilit mbahet sekret, që në momentin e vrasjes ka parë të pandehurin, duke qëlluar me automatik në drejtim të kryekomisarit. Kjo provë, është kundërshtuar nga avokatët, të cilët pretendojnë se dëshmitari i mbrojtur është i manipuluar. Ata thonë se Arben Frroku, në momentin e vrasjes, ka qenë në dalje të qytetit të Elbasanit, duke udhëtuar për në Greqi, ku edhe u arrestua në orët e para të mëngjesit të 25 shkurtit 2013, në një hotel në Selanik, bashkë me nipin e tij Jak Jaku. Por pikërisht dëshmia e personit që mbahet i fshehur dhe në mbrojtje nga policia, është kyçi i dosjes hetimore që mban në qeli prej më shumë se një viti biznesmenin Frroku. Dosja mësohet se ka 12 fashikuj dhe është voluminoze.
Pas arrestimit, drejtësia shqiptare kërkoi nga gjykatat greke, lejimin e ekstradimit të Frrokut drejt Shqipërisë, kërkesë që u pranua dhe rezultoi me ekstradimin e pak muajve më parë të biznesmenit. I dyshuari refuzoi ekstradimin në një betejë juridike, me arsyen se nuk kishte prova bindëse. Sipas akuzës, shkak i ekzekutimit në pritë të ish-shefit të Komisariatit nr .6, ka qenë një konflikt fizik i kryekomisarit me të pandehurin, për të cilin Arben Frroku ka qenë i shoqëruar edhe për disa orë në komisariat për veprime të dhunshme, kundërshtim për shkak të detyrës dhe goditje. Akuza është “vrasje për shkak të cilësive të veçanta”.

0 comments:

Post a Comment

 
Top