Organizata World Vision sapo ka përfunduar studimin “Siguria e fëmijëve online”. Në Shqipëri u intervistuan 900 fëmijë në 6 rrethe kryesore. Më shumë se gjysma janë vajza dhe mbi 60 për qind jetojnë në zonat rurale.
Nga studimi doli se mbi 60 për qind e fëmijëve kanë lidhje interneti në dhomën e gjumit. Rreth 45 për qind e fëmijëve të intervistuar shohin në internet materiale pornografike çdo ditë dhe afro gjysma e tyre pohojnë se janë kontaktuar përmes internetit nga persona të panjohur. Rreth 70 për qind e fëmijëve pohojnë se ata shohin materiale pornografike pa dëshirën e tyre në qendra interneti, ose në internet kafetë, që kanë mbushur të gjithë vendin.
“Sa më shumë shtrihet interneti në 5 shtetet, ku u zbatua ky projekt, aq më shumë rreziqe u shtuan për fëmijët që hyjnë në rrjete online nga telefoni dhe nga kompjuterat – thotë Mandy Yamanis, eksperte ndërkombëtare në mbrojtjen e fëmijëve. Fëmijët marrin ngacmime nga të panjohur në internet, shohin sjellje të papërshtatshme, janë të pambrojtur nga materialet pornografike me të mitur madje edhe as nga trafikimi i tyre online”.
“Këto janë rreziqet edhe për fëmijët shqiptarë – thotë zonja Jamanis. – Nga ana tjetër, prindërit janë të trembur nga interneti, sepse nuk dinë ta përdorin mirë. Por ata duhet të mbrojnë fëmijët e tyre, duke biseduar me ta dhe duke u qëndruar pranë. Nga ana tjetër, ata duhet të marrin programe sigurie nga kompanitë e internetit për kompjuterin dhe celularin e fëmijëve”.
“Të drejtat e fëmijëve janë të njëjta si pa internet ashtu edhe me internet. Kjo nuk duhet harruar asnjeherë. Fëmijët kanë të drejtë të mbrohen, të shkollohen, të jetojnë pa shqetësimin e mesazheve negative prej internetit dhe pa presione nga persona të panjohur. Fëmijët edhe duhet të dëgjohen, sepse po ashtu ata kanë të drejtën edhe për lirinë e fjalës” – thotë zonja Jamanis.
Studiuesit mendojnë se prindërit shqiptarë duhet të kujdesen më shumë për ta bërë më të sigurtë marrëdhënien e fëmijës së tyre me internetin; jo duke ua hequr nga duart celularët dhe kompjuterat, por duke bashkëpunuar gjatë kërkimit në internet dhe të jenë në dijeni mbi kërkesat e fëmijëve nga interneti. Ata mund të kërkojnë nga kompanitë celulare shërbime për internet të sigurtë, sepse rreth 60 për qind e fëmijëve të intervistuar për këtë studim e përdorin internetin nga telefoni celular.
Ekspertët pohojnë se interneti i sigurtë është edhe një detyrim shtetëror. Sipas tyre, qendrat e internetit duhet të kenë ndarje të sigurta për fëmijët, shkollat duhet të diskutojnë më shumë mbi sigurinë e fëmijëve online, ndërsa qeveria duhet të aktivizojë një lundrim më të sigurtë të fëmijëve në internet, dhe të organizojë struktura të posaçme që të raportojnë vazhdimisht për krimet kibernetike dhe kërcënimet ndaj fëmijëve.
***
Intervista/ Elda Spaho
700 mijë pedofilë gjenden çdo çast online (në botë)
I jemi futur pak më në detaje studimit me anë të Elda Spahos, e cila është koordinatore për mediat në “World Vision”, duke na hedhur më shumë dritë mbi këtë raport.
Elda, cilat janë përfundimet konkrete që ju keni nxjerrë nga ky studim?
Problemet me mungesën e sigurisë në internet të të miturve shqiptarë janë të shumta. Në punojmë prej 15 vjetësh në Shqipëri me fëmijët dhe gjatë viteve të fundit, kemi dëgjuar shpesh nga goja e tyre për vjedhjet e profileve të tyre online, ngacmimet nga të panjohur, talljet në publik. Menduam ta masim në shifra dukurinë sepse kështu do të kuptohet më qartë dhe do të mund të jepen zgjedhje më të qarta. Një nga gjetjet më shqetësuese është fakti që 44% e të pyeturve pranojnë se
shohin çdo ditë materiale pornografike. Do të doja ta sqaroja pak këtë pikë: shumë prej këtyre pamjeve u dalin të rinjve pa dëshirën e tyre. Ato thjesht kërcejnë ngado, kur ata futen online. Besoj se edhe për ne, si të rritur, ky është një shqetësim I përditshëm. Por nëse ne e kemi pjekurinë për t’u bërë bisht, fëmijët janë ndryshe: janë tepër kureshtare, tepër të rinj. Një tjetër gjetje e studimit është fakti se 47% e fëmijëve të pyetur raportojnë se janë kontaktuar online nga të panjohur gjatë vitit të fundit. Shumica e këtyre të panjohurve janë me nënshtetësi të huaj.
Sa kohë shpenzon një fëmijë në internet dhe për çfarë e përdor atë?
Fëmijët tanë kalojnë shumë kohë në internet, mesatarisht disa orë në ditë. Këtu duhet llogaritur jo thjesht koha që kalojnë para kompjuterit, por sidomos ajo që kalojnë online në smartfonët e tyre. Shifrat botërore tregojnë se 48% e 18-vjeçarëve kontrollojnë Facebook-un sapo ngrihen nga krevati në mëngjes, kurse 28% e tyre futen online ndërsa janë ende në krevat.
A është kjo një gjendje alarmante?
Është një gjendje që vazhdon prej kohësh dhe që thërret për ndryshim, për këtë s’ka dyshim. Edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, tha gjatë konferencës së sotshme (dje) se kjo është një këmbanë alarmi. Përshëndesim faktin që ajo u zotua publikisht se kurrikula shkollore do të ndryshojë, do të përfshijë njohuri dhe praktika që do t’u tregojnë fëmijëve si të mbrohen nga rreziqet online. Kurrikula e tanishme nuk i ka këto njohuri dhe kjo është një nga arsyet se pse, sipas rezultateve të pyetësorit, mësuesi është personi i fundit të cilit do t’i drejtoheshin fëmijët në rast dhunimi online. Më pas, lista vazhdon me policinë dhe psikologen e shkollës. Në të vërtetë, renditja duhet të ishte e kundërta.
Sipas jush cilat janë masat që duhen marrë?
Studimi i World Vision nuk përmban vetëm pyetësorin me fëmijët, përkundrazi ai është një studim i plotë që ofrohen rekomandime konkrete. E dimë që pornografia, ngacmimet dhe pedofilia online është tepër e përhapur dhe mund të duket sikur është krejt e pamundur t’i bësh ballë. Llogaritet që 700 mijë pedofilë gjenden çdo çast online, por vetëm 6 janë kapur dhe dënuar, deri vitin e shkuar. Të dhënat mbi pornografinë janë gjithashtu shqetësuese: sipas të dhënave që u publikuan në konferencën e sotme, 1.1% e të gjitha faqeve online përmbajnë materiale me përmbajtje tërësisht pornografike. Kjo do të thotë, mbi 680 milionë faqe interneti që na dalin vazhdimisht para syve. Por nuk është e pamundur që gjithë kjo mësymje të mos përfundojë në sytë e fëmijëve tanë, pikërisht ky është edhe mesazhi kryesor i studimit. Rekomandimet që ne kemi dhënë mund ta përmirësojnë gjendjen nëse të gjithë, duke nisur nga institucionet publike, shoqëria civile, vetë njerëzit, bëjnë pjesën e vet. Në studim, këshillojmë që shteti të bashkëpunojë sidomos me ofruesit e Shërbimeve të Internetit (ISP-të). Për të vënën nën kontroll shikimin e lartë të pornografisë, duhet të jetë kërkesë ligjore që ISP-të të instalojnë pajisje të posaçme të cilat mund të njoftojnë kur përmbajtja e përcjellë është e jashtëligjshme dhe e dëmshme për minorenët në shërbimet e rrjetit që ofrojnë.
Sa i rëndësishëm është roli i familjes apo i mësuesit në këtë situatë?
Është shumë i rëndësishëm. Në fund të fundit, fëmijët kalojnë një kohë të gjatë në shkollë dhe misioni i kësaj të fundit është dhënia e njohurive. Mësuesit e lëndëve informatike duhen trajnuar vazhdimisht, kurrikulat duhen përditësuar dhe zgjeruar. Familja është shumë e rëndësishme gjithashtu. Vetëm 12% e familjeve evropiane u kanë vendosur kompjutera fëmijëve në dhomë , kurse shifra në Shqipëri është 62%! Ekspertët këshillojnë që kompjuteri të mos lihet në dhomën e të miturve pasi rrit rrezikun që internet të përdoret në mënyrën e gabuar. Prindërit shqiptarë duhet të guxojnë dhe të kontrollojnë faqet ku janë futur fëmijët, të kontrollojnë lundrimin e tyre online nëpër celularë. Këtë e kanë të drejtë dhe detyrë. Përveç kësaj, ata duhet të bisedojnë vazhdimisht me fëmijët dhe duhet të përpiqen të vendosin filtra në kompjuterët personalë, filtra për kufizimin e kohës gjatë së cilës fëmija mund të qëndrojë online, filtra për të kapur faqet e dëmshme etj.
0 comments:
Post a Comment