Një tjetër grup kriminal është goditur në zonën e Kamzës nga policia ditën e djeshme, që kryenin aktivitet në shitjen e drogës nëpërmjet internetit, grabitjeve me arma dhe maska portrete me fytyra të improvizuara. Babë e bir janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Maska”, djali pasi u kap në qendrën e tij të internetit që kishte në pronësi me sasi droge dhe babai pasi në banesë u gjetën tre armë, pistoleta dhe automatik, maska dhe pajisje të tjera që shërbenin për grabitje. Të arrestuarit janë Qerim dhe Sejit Kolgjini, 20 dhe 54 vjeç, banues në Kamëz. Ndalimi u bë në qendër të kësaj qyteze, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative.
Zyra e Antidrogës kishte marrë informacione se në një qendër interneti, pronari i pikës, dyshohej se nëpërmjet rrjeteve sociale dhe në metoda të tjera, shiste edhe lëndë narkotike. Policia tha se lokali ishte në pronësi të Qerim Kolgjinit, 20 vjeç, por që dyshohet se mbështetej edhe nga babai i tij në këtë aktivitet të dyshuar. Kurse në banesën e tyre në Institut, u gjetën edhe shumë prova të tjera materiale.
“U sekuestruan një sasi lëndë narkotike e ndarë në disa porcione, 2 pistoleta, një automatik, disa maska, kapuça si dhe një sasi fishekësh luftarak”, thanë burime zyrtare të policisë. Gjatë aksionit nuk ka pasur rezistencë nga të dyshuarit. Policia tha se ndaj tyre u ngritën veprat penale, të “prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Por dyshohet se grupi i shpërndarësve dhe i grabitjeve me maska mund të jetë edhe më i madh. Po krahasohen pamjet filmike dhe gjurmët e gishtrinjve, bashkë me denoncimet e të dëmtuarve gjatë grabitjeve, nëse autorët kanë përdorur maskat e sekuestruara apo kanë qenë pjesëmarrës në këto sulme. Dosja i kaloi prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Vetëm javën e kaluar, policia goditi një grup kriminal të grabitjes së pikave të karburanteve në disa qytete të vendit. Gjashtë të arrestuarit dhe një i shpallur në kërkim ishin banorë të Kamzës dhe Bathores, ndërsa për 3 muaj kishin kryer 7 grabitje në seri, duke rrahur punonjësit e karburanteve dhe grabitur xhirot ditore.

0 comments:

Post a Comment

 
Top