Një organizatë me emrin ‘World Vision International’ (është organizatë fetare, më saktë kristiane) ka bërë një studim në Shqipëri. Ka intervistuar, afro një mijë fëmijë të mitur të moshës 13-18 vjeç, konkretisht në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Korçë, Peshkopi, dhe nga ky anketim ka rezultuar që 44% e tyre kanë pranuar se shohin çdo ditë materiale pornografike në internet (një shifër tjetër interesante që ka dalë nga studimi është, se “47% e fëmijëve janë kontaktuar online nga të panjohur”). Ekziston prirja për të nënvizuar shifrën e 44% të fëmijëve (në këtë diskutim lipset saktësuar se ç’moshë kanë tamam-tamam këta fëmijë; përballë një materiali pornografik, një 13 vjeçar nuk është njësoj me një 17 vjeçar, s’ka gjë se që të dy quhen të mitur) që shohin materiale pornografike, por mua më e frikshme më duket shifra tjetër në kllapa, që thotë se 47% e fëmijëve janë në kontakt me persona të panjohur online.
Por po ndalem te fëmijët që shohin pornografi në internet. Dhe më duhet të them se nuk është shifra 44% që më bën përshtypje. Madje, kjo shifër më bën përshtypje në sens të kundërt. Më vjen çudi pra që janë vetëm 44% e tyre që kanë parë materiale pornografike në internet. Po të tjerët nuk kanë patur një minimum kërshërie për të bërë të njëjtën gjë? Nëse nuk kanë patur, do të shtroja pyetjen: është e shëndetshme kjo mungesë kërshërie nga ana e fëmijëve? Nuk është se kam një përgjigje për këtë pyetje të fundit. Por një përgjigje do doja ta dëgjoja. Nga mësuesit, sociologët, psikologët, a të tjerë që punojnë me fëmijët (Gjenerata ime ishte e përgjëruar për të patur një kontakt disido me një material porno, një foto, a disa letra bixhozi me çupa të zhveshura, a ndonjë libër të shthurur; dhe unë nuk e di nëse na ka bërë mirë mundësia zero për një kontakt të tillë).
E dhëna shqetësuese në këtë mes nuk më duket pra fakti që fëmijët shohin materiale pornografike, por që ata shohin shohin materiale të tilla çdo ditë. “Çdo ditë” është e frikshme. “Çdo ditë” të jep idenë e një veprimi maniakal, e një makthi që, ashtu si të gjitha makthet, nuk premton ndonjë rritje të shëndetshme. Ndërsa herë pas here, sipas meje, nuk do të ish ndonjë hatá. Si prind nuk do t’ua këshilloja fëmijëve të mij të mitur të shihnin, por nëse do ta bënin ndonjëherë fshehurazi, nuk është se tronditesha kushedi se çfarë. Një fëmijë që bën ndonjë gjë prapa shpinës së prindërve, e në kundërshtim me këshillat e këtyre të fundit, nuk ka pse të na trondisë. Mendoj unë.
Dhe në këtë diskutim e sipër më vjen në mendje Umberto Eco, që para ca kohësh i dërgonte një letër publike nipit të vet që kish të njëjtën moshë me fëmijët e intervistuar nga organizata ‘World Vision International’. Eco i thosh pak a shumë se “unë e di, i dashur nip, që ti sheh herë pas here materiale pornografike”, dhe këtë gjë e thosh qetësisht, larg gjendjes së panikut apo alarmit. Dhe vijonte (po e perifrazoj): “Unë, nga përvoja ime, mund të të them se çupat reale, që janë jashtë në rrugë, a në shkollë, a në parqe, a në kinema, e që ti mund ti prekësh, janë më të mira se sa çupat virtuale që ti i sheh në ekran, e që ti vetëm mund t’i shohësh”. Këtë të fundit duhet t’ua themi vazhdimisht fëmijëve tanë.

0 comments:

Post a Comment

 
Top