Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, thotë se duhet një hetim ndaj kompanive të sigurimit në lidhje me rritjen e menjëhershme të pagesës së sigurimit TPL për automjetet.
Përmes një letre drejtuar Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Konkurrencës, deputeti socialist kërkon sqarime në lidhje me veprimin e koordinuar, sipas tij, të kompanive të sigurimit, të cilat brenda një dite rritën tarifën e sigurimit TPL me 6 mijë lekë.
“Një tjetër fakt shqetësues është përfshirja në këtë marrëveshje edhe e kompanisë publike INSIG”, shkruan Braçe.
Në letrën e tij, kreu i Komisionit të Ekonomisë thekson se që prej muajit shkurt të vitit të kaluar e deri më sot, kompanitë e sigurimit e kanë rritur 4 herë pagesën e sigurimit të detyrueshëm TPL, ndërsa që prej ditës së martë, rritja është në vlerën e 6 mijë lek ose 43% më shumë se çmimi i mëparshëm.
Braçe shpreh dyshime rreth ekzistencës së një marrëveshjeje karteli të fshehtë, mes operatorëve në treg duke kërkuar hetim, reagim dhe shpjegime të menjëhershme në lidhje me këtë treg dhe veprimet e fundit.

0 comments:

Post a Comment

 
Top