Zëvendës Presidenti i Parlamentit Europian, Gianni Pittella, rrëfen se ka ndikuar në krijimin e aleancës qeverisëse mes Partisë Socialiste dhe Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”. I ftuar në emisionin ““Tête à tête” te gazetarit Artur Nura, Pittella tregon miqësinë e tij me dy drejtuesit e PS dhe LSI, duke u shprehur kështu edhe “një garant i mirë për koalicionin”.
Duke u ndalur tek hapat e Shqipërisë në kuadër të integrimit europian, Pittella ka venë theksin në rëndësinë e vijimit të reformave, ndërsa përmend edhe arritjet pozitive të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, zëvendës Presidenti i Parlamentit Europian, Gianni Pittella, është takuar ditën e sotme me kreun e LSI, Ilir Meta, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ditën e nesërme, Pitella do të takohet me kryeministrin Rama, duke na treguar edh e se do të “flasin për një teme të rëndësishme”.
Por për shkak të axhendës së kreut të PD, Lulzim Basha, nuk do të mund të zhvillohet një takim me Zv/presidentin e PE, Pittella, i cili nga studio e “A1 Report” i ka bërë apel që edhe forca politike që ai drejton dhe gjithë opozita të bëhet pjesë e hapave konkrete dhe e bashkëpunimit me qeverinë në kuadër të integrimit evropian.
Zoti Pittella si keni ndikuar ju në krijimin e koalicionit PS-LSI?
Kam shprehur mendimin tim në favor të krijimit të një koalicioni të tillë. PS-LSI së bashku e kam parë si një lëvizje të favorshme për krijimin e qeverisë koalicionit. Kam qenë një nxitës në krijimin e koalicioni. Jam një mik i Metës dhe Ramës, dhe mund të isha një garant i mirë. Për këtë jam rikthyer sërish. Jam takuar sot me Metën, ndërsa nesër do takoj kryeministrin Rama për të folur për një temë të rëndësishme. Unë vij shpesh në Tiranë. Dhe jam një promotor i parë për të nxitur vijimin e reformave që Shqipëria të hyjë në BE. Kam shumë miq në Tiranë. Vij shpesh dhe me kënaqësi.
Kemi mësuar se komisioneri Fyle nuk do të realizojë vizitën e parashikuar në Shqipëri, por do shkojë në Ukrainë për të qetësuar situatën atje. A ka ndonjë ndikim kjo në vizitën tuaj në Tiranë?
Fyle ka anuluar vizitën e tij në Tiranë, por do të fiksojë një vizitë tjetër. Mijëra qytetarë në Ukrainë kërkojnë zgjedhje të lira dhe të garantuara, edhe unë kam qenë aty pasi njerëzit duhet të kenë atë të cilën kërkojnë. Europa duhet të bazohet tek këto principe dhe të garantojë një realitet miqësor edhe jashtë Europës.
Mendoj se misioni aty ishte shumë i rëndësishëm, sepse edhe situata është mjaft delikate. Po a keni dëgjuar se disa politikanë mund të jenë shprehur për një realitet të ngjashëm me atë të Ukrainës, edhe në Shqipëri, pra të ketë protesta?
Në Shqipëri ka probleme. Por nuk mendoj se bëhet fjalë për protesta të tilla. Janë bërë hapa përpara në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Besoj se mund të ketë një marrëdhënie shumë të hapur mes pozitës dhe opozitës. Nëse do të fuqizohet shteti, situata mund të përmirësohet. Rama më ka dëgjuar në këshillat që i kam dhënë, dhe fitoi zgjedhjet. Nuk është e rëndësishme se cila forcë politike fiton, por e rëndësishme është të fitojë Shqipëria. Unë jam këtu me mision europian, si mik i Shqipërisë, si zëvendës President i Parlamentit Europian, kam informuar edhe Mateo Rencin këtu dhe për hapat e Shqipërisë në kuadër të integrimit europian. Nuk duhet të harrojmë se pas disa ditësh këtu do të vijë në një vizitë zyrtare Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano.
A do të keni takime me opozitën?
Do takohem me të gjithë parlamentarët. Për shkak të problemeve me axhendën nuk mundëm të fiksojmë një datë për t’u takuar me kreun e PD, Lulzim Basha.
Si e shihni punën e deritanishme të qeverisë?
Sot Edi Rama po bën një luftë të shpejtë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, dhe nuk mund të krahasohet ajo çka po bën tashmë qeveria e Edi Ramës me atë që është bërë në qeverinë Berisha. Opozita duhet të japë një kontribut shumë të mirë që t’i japë mundësi Shqipërisë të hyjë në BE.
Duke u ndalur tek reformat e bëra nga Shqipëria, ç’mund të na thoni sa i takon politikës së jashtme?
Jemi informuar për reformat e jashtme. Dhe sërish theksojmë se opozita duhet të bashkëpunojë në kuadër të integrimit. Duhet të punohet për të marrë statusin e vendin kandidat në Qershor. Do të ishte një fitore për të gjithë vendin. Duhet të ketë bashkëpunim sinergjik mes opozitës dhe mazhorancës. Nëse Shqipëria nuk hyn në BE në qershor nuk do të jetë një humbje e Ramës, por humbje e gjithë shqiptarëve.
Sipas jush pse Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat në dhjetor, çfarë e penalizoi?
Nuk duhet të harrojmë se në disa vende të BE, si Holandë, janë disa forca ekstremiste të cilat kundërshtojnë hyrjen e vendeve të tjera, pasi kanë frikën se “me hyrjen e shqiptarëve në BE, do të marrin një pjesë që u takon atyre”.
Jemi duke folur për vështirësitë që ka Shqipëria për hyrjen në BE. Disa zëra thonë se mazhoranca myslimane që ndodhët në Shqipëri, ka qenë fakt për gjykimin e disa forcave të huaja. Sa ndikon kjo?
Mendoj se duhet të hapet rrugë për të gjitha besimet. Ka një mazhorancë kristiane në BE, por kjo nuk do të thotë gjë, pasi Europa është e hapur edhe për ateistët. Dhe nuk ka asnjë diskriminim, ne jemi kundër çdo diskriminimi.
Çfarë do t’i thonit kryetarit të opozitës?
Do t’i kërkoja kreut të opozitës shqiptare që të bashkëpunojë me qeverinë në kuadër të integrimit europian. Duhet të bëhet më shumë punë që vendet e BE t’i japin statusin kandidat Shqipërisë në Qershor. Këtë bëjmë edhe në socialistët. Do bëj gjithçka është e mundur që ky objektiv historik të realizohet. E dimë që nuk është diçka e lehtë, pro do bëjmë që diçka e tillë të realizohet.
Cili është roli juaj aktual në Shqipëri?
Qytetarët iu dhanë socialistëve detyrën për të qeverisur vendin, dhe PD kaloi në opozitë. Por e rëndësishme është të tregohet një respekt reciprok mes dy palëve. Është e vërtetë që ka një distancë mes opozitës dhe mazhorancës, por duhet që kjo të mos kthehet në pengesë në rrugën e integrimit.

0 comments:

Post a Comment

 
Top