Kryeministri Edi Rama mblodhi sot në një takim krerët e institucioneve të pavarura për të kërkuar thellimin e bashkëpunimit si dhe për të rritur forcën ndëshkuese në lidhje me rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli.
Takimi uzhvillua në Kryeministri dhe në të morën pjesë prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla; drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika; kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Lefterie Lleshi; inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, Zana Xhuka, si dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë,  Elvis Çefa.
Sipas njoftimit të shpërndarë për shtyp nga Kryeministria, gjatë takimit është diskutuar mbi forcimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese dhe Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.
“Gjatë fjalës së tij Kryeministri theksoi rëndësinë e pasjes së një bashkëpunimi sa më efikas për të garantuar një proces të konsoliduar të shkëmbimit të informacionit dhe për të rritur forcën ndëshkuese në lidhje me rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli. Për më tepër, Qeveria së bashku me institucionet e pavarura duhet të ndërmarrin veprime në unison për të adresuar probleme kyçe të axhendës evropiane me qëllim anëtarësimin e afërt në BE”, thuhet në njoftim.
Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledar Çuçi, u shpreh se krerët e institucioneve të pavarura duhet të bashkëpunojnë dhe të mbajnë pozicionin e pavarur e kushtetues.
“Ka vend për bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve, por gjithsecili duke mbajtur pozicionin e tij të pavarur e kushtetues”, tha ai.
Krerët e institucioneve të pavarura shprehën mbështetjen e plotë në punën dhe objektivat e qeverisë dhe të Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.
Takimi i sotëm është i dyti i këtij lloji i thirrur nga kryeministri Rama.

0 comments:

Post a Comment

 
Top