“Nëse sot Berisha do të ishte në pushtet, Bylykbashëria e juristëve të tij do të sajonte lloj-lloj pretekstesh juridike për të mos ngritur komisionin hetimor”. Kështu shprehet komentatori politik Andrea Stefani në një shkrim të tij të fundit, duke mbrojtur idenë se vendimi i mazhorancvës për të lejuar ngritjen e një komisioni hetimor për emërimet në Policinë e Shtetit, kërkuar nga opozita, ishte mjaft i drejtë, pasi kushtetueshmërisht dhe jo politikisht, ai komision duhej ngritur. Por Stefani nuk lë pa përmendur se si është sjellë mazhoranca e djeshme me kërkesat e opozitës së majtë për ngritje komisionesh hetimore, duke rrëzuar çdo kërkesë nga dhjetra të tilla, pa lejuar qoftë dhe një të vetëm të ngrihej e të funksiononte.
Dhe këtë fenomen të dy standarteve që ulërasin padrejtësi e hipokrizi bashkë, Stefani e pagëzon si “Bylykbashëri”, një term që nuk do ishte keq të përfshihej në fjalorin politik, sa herë të bëhet fjalë për fenomenin e shëmtuar të dy standarteve, që politika jonë e ka standart të vetin. Sepse, dhe personazhi politik prej nga buron ky term, Oerd Bylykbashi, për të tilla aftësi prej një skileje në çështje juridike, njihet deri më tani. Atij i dedikohet “karta juridike” e përdorur për moshapje kutish pas zgjedhjeve të vitit 2009, e po ashtu dhe ajo e hapjes së kutive 2 vjet më vonë, në zgjedhjet e vitit 2011. Ndërsa “mjeshtërinë” më të madhe, e ka në gjetjen apo shpikjen e yçklave juridike për refuzimin e çdo komisioni hetimor të kërkuar nga opozita e djeshme. Ndërsa për ngritjen e Komisionit për emërimet në Polici, ishte ndër më të përvëluarit. Kjo është pra “Bylykbashëria”!

0 comments:

Post a Comment

 
Top