Çmimi i naftës u rrit me 3.9 për qind, ndërsa çmimi i benzinës me 3.5 për qind krahasuar me Dhjetorin. Ekspertët e statistikave kanë disa rezerva lidhur me peshën e grupit të karburanteve në përllogaritjen e inflacionit dhe besojnë që shporta duhet rishikuar
Inflacioni u ul përsëri në muajin Janar në nivelin 1.7 për qind, duke reflektuar kërkesën e dobët konsumatore dhe gjendjen e brishtë të ekonomisë. Kështu as rritja e çmimeve të karburanteve, duhanit dhe pijeve alkoolike nuk ka dhënë goditje përcaktuese në vlerat e inflacionit. Të dhënat konfirmohen nga INSTAT. Çmimet e karburantit dhe mallrave të tjera të akcizës u rritën gjatë muajit Janar, si rezultat i rritjes së taksave mbi këto produkte në paketën fiskale 2014, por sidomos për shkak të sjelljes spekulative të tregtarëve. Inflacioni i grupit të transportit u rrit me 0,6 për qind, ndërsa ai i grupit të duhanit dhe pijeve alkoolike me 7.3 për qind.
Sipas INSTAT, në krahasimin e thjeshtë mujor, çmimi i naftës u rrit me 3.9 për qind, ndërsa dhe çmimi i benzinës me 3.5 për qind krahasuar me Dhjetorin. Në fakt, ekspertët e statistikave kanë disa rezerva lidhur me peshën e grupit të karburanteve në përllogaritjen e inflacionit dhe besojnë që shporta duhet rishikuar. Gjithsesi, përcaktuese për Janarin rezultoi ulja e inflacionit të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, në 2.7 për qind, nga 3.5 për qind që kishte qenë në Dhjetor. Grupi i ushqimeve, që ka edhe peshën kryesore në shportë, ka ruajtur gjatë viti të kaluar normë inflacioni më të lartë se ajo mesatare. Në këtë mënyrë pavarësisht hyrjes në fuqi të taksave të reja mbi konsumin në janar, si ajo mbi karburantet dhe cigaret, rritja e çmimeve në muajin e parë të vitit ka qenë e moderuar. Krahasuar me muajin Janar 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me 7,3 për qind pasuar nga grupi ”Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 për qind, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,0 për qind, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,8 për qind etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin ”Komunikimi” me 2,8 për qind pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,7 për qind, ”Shëndeti” me 1,3 për qind etj.
Rritja vjetore në muajin Janar është ndikuar kryesisht nga grupi ”Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,04 pikë përqind. Në këtë grup çmimet e frutave janë rritur me 17,5 për qind dhe çmimet e zarzavateve me 12,7 për qind. Rritja e çmimeve të grupit ”Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,3 pikë përqind në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 12,7 për qind. Çmimet e grupit ”Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar gjithashtu me 0,3 pikë përqind. Në këtë grup çmimet e materialeve për mirëmbajtjen e shtëpisë u rritën me 2,6 për qind dhe çmimi i lëndëve djegëse me 0,5 për qind. Çmimet e ulëta të grupit ”Veshje dhe këpucë” kanë ndikuar me – 0,14 pikë përqind në ndryshimin vjetor.
Grupet “Komunikimi” dhe “Mobilje e pajisje shtëpie” kanë kontribuar me -0,07 pikë përqind. Në janar hyri në fuqi paketa e re fiskale, ku ndër ndryshimet kryesore që transmetohen direct në çmimet e produkteve ishin rritja e taksës së karburanteve me 10 lekë për litër dhe të akcizës së cigareve me 20 lekë për paketë. Në Janar 2014 ndryshimi mujor i indeksit është 0,8 për qind. Rritja mujore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi ”Ushqime dhe pije joalkoolike me 0,6 pikë përqind. Çmimet e zarzavateve u rritën me 6,6 për qind, frutave me 3,7 për qind, vezëve me 1,5 për qind etj. Çmimet e larta të grupit “Pije alkoolike dhe duhan ” ndikuan me 0,1 pikë përqind në ndryshimin mujor. Në këtë grup çmimi i duhanit u rrit me 4,6 për qind. Çmimet e grupit ”Transporti” kanë ndikuar me 0,07 pikë përqind në ndryshimin mujor. Çmimi i naftës u rrit me 3,9 për qind dhe çmimi i benzinës me 3,5 për qind.

0 comments:

Post a Comment

 
Top