-Gati ndryshimet e para të ligjit për sigurimet shoqërore. Ndryshon statusi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore që zbaton politikat e pensioneve dhe varësia e tij. Deputetët socialistë bien dakord për axhendën e së enjtes ku mes të tjerash pritet dhe miratimi i ndryshimeve në ligjin për sigurimet shoqërore. Burime nga selia e PS-së pohuan dje se, gjatë diskutimit të djeshëm ligjvënësit kanë përcaktuar diskutimet për secilin nga draftet që do të diskutohen dhe më tej miratohen në seancën plenare të radhës. Ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore përcaktojnë kalimin e varësisë së këtij Institutit të Sigurimeve Shoqërore nga Ministria e Financave në atë të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndryshimi i varësisë ka sjellë njëherësh dhe nisjen e punës për reformën e pensioneve. 
Projektligji
Sipas projektligjit që pritet të miratohet në seancën plenare të ditës së enjte, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të jetë në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndryshimet në projektligj synojnë kalimin e ISSH-së nga Ministria Financave në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale. “Deri në vitin 2006, për problemet e sigurimeve shoqërore ishte përgjegjëse Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, ndërsa me ligjin nr. 9498, datë 3.4.2006, kjo kompetencë i kaloi Ministrisë së Financave. Me këtë projektligj kjo përgjegjësi i kalon ministrisë përgjegjëse për çështjet e sigurimeve shoqërore”,- thuhet në relacionin e projektligjit. Më tej shtjellohen dhe detyrat e ISSH-së. “Instituti i Sigurimeve Shoqërore do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për çështjet e sigurimeve shoqërore: raportin vjetor dhe bilancin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore; buxhetin vjetor të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe planin financiar zhvillimin financiar 3 - vjeçar dhe perspektivën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore si dhe një herë në 5 vjet do t’i paraqesë perspektivën për 5 vjet”, - thuhet në relacion. Në të sqarohet gjithashtu se, Instituti i Sigurimeve Shoqërore i raporton ministrit përgjegjës për çështjet e sigurimeve shoqërore periodikisht për realizimin e politikave të qeverisë në fushën e sigurimeve shoqërore, për realizimin e programit vjetor të zhvillimit të skemës së sigurimeve shoqërore si dhe për probleme të tjera të ngarkuara nga ministri si dhe që ministria përgjegjëse që mbikëqyr zbatimin e politikave të Këshillit të Ministrave në fushën e pensioneve. Krahas këtij projektligji ministria Mirëqenies Sociale e drejtuar nga Veliaj ka nisur punën për skemën e re të pensioneve. Kryetari i grupit të punës për reformimin e pensioneve, Erion Veliaj, ka pohuar disa ditë më parë, në takimin me ekspertët e ISSH-së, se skema do të reformohet në mënyrë që çdo pensionist të ketë një pension kur të mbushë moshën. “Është shumë e rëndësishme që të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të pranojmë që skema aktuale që kemi ka dështuar me sukses në të dyja këto elemente. Problemi më i rëndësishëm social është se janë mbi 1 milionë shqiptarë që janë në moshë pune dhe nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve të cilët rrezikohen që të mos marrin pension fare në pleqëri, që do të shkaktonte një katastrofë sociale. Ndaj është e arsyeshme që ne të heqim pensionin tavan dhe t’i jepet kujtdo mundësia për të kontribuar më shumë”, - ka deklaruar ministri. Sipas Veliaj deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore llogaritet të jetë 42 miliard lekë, ose sa 45 % e shpenzimeve të ISSH. Ai ka shtuar se informaliteti është shumë i lartë pasi vetëm 65 % e forcave të punës marrin pjesë në sistem. Në vitin 2050 llogaritet që 25 % e popullsisë të jenë 65 vjeç, pra në kohën e daljes në pension. “Arsyet kryesore të skemës deficitare të sigurimeve shoqërore janë, së pari numri i vogël i kontribuuesve, lëvizjet demografike, emigracioni dhe diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension 5 vjet më parë se burrat, pavarësisht se jetëgjatësia mesatare e grave është më e madhe se e burrave”, - ka deklaruar Vjollca Braho, Drejtoresha e ISSH-së, në të njëjtin takim. Të paktën 1.7 % e prodhimit të brendshëm bruto llogaritet të jetë deficiti që ka shkaktuar sistemi i sigurimeve shoqërore në buxhet dhe sfida të mëdha mbeten evazioni, mosdeklarimi i pagave reale, emigracioni, por edhe të punësuarit në bujqësi. 
Qëndrimi
Opozita kundër reformës së pensioneve
Për herë të parë opozita ka dalë kundër reformës së pensioneve të iniciuar tashmë nga qeveria. Gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat, dje kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kërkuar nga ekzekutivi të lejë mënjanë eksperimentet me pensionet dhe të hartojë një reformë të vërtetë në bashkëpunim me opozitën. Lideri i opozitës është ndalur edhe tek situata ekonomike duke theksuar se është rritur papunësia dhe varfëria si pasojë e paketës fiskale të miratuar nga qeveria Rama “Deklarimi për falimentim të skemës së pensioneve rrit vetëm frikën. Kjo skemë ishte bërë në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore. I kërkojmë qeverisë që të marrë një kthesë 180 gradë dhe të fillojë të rrisë pensionet, siç është bërë gjatë gjithë viteve të qeverisë së PD-së”, deklaroi Basha përpara deputetëve demokratë. 
Reforma e pensioneve e propozuar nga organizmat ndërkombëtare është pranuar edhe nga PD-ja gjatë qeverisjes “Berisha”, por nuk u ndërmorën hapa konkretë për shkak të mungesës së konsensusit politik. Dy vjet më parë, ish-kryeministri Sali Berisha do të shprehej se “opozita duhet që të kontribuojë në lidhje me reformën e pensioneve. Sipas tij, ajo e pranon privatisht atë dhe e refuzon publikisht. Kreu i qeverisë saktësoi se për të realizuar këtë reformë nuk nevojiten 3/5 e votave, pra duhet që në votim të marrë pjesë edhe opozita në mënyrë që ligji të kalojë. Numri një i mazhorancës theksoi se kjo është një strategji që do të jetë në fuqi për 30-40 vitet e ardhshme dhe për këtë arsye ajo duhet të jetë diçka e menduar shumë mirë, që edhe opozita të kontribuojë”.
Ligj të ri për të persekutuarit, dëmshpërblim të gjithëve 
Avokati i Popullit i kërkon Kuvendit hartimin e një projektligji të ri për dëmshpërblimin në kohë të ish-të përndjekurve. Në raportin e posaçëm të hartuar për grevën e ish-të përndjekurve gjatë qeverisjes Berisha, evidentohen një sërë problemesh lidhur me trajtimin e kësaj shtrese nga strukturat shtetërore. Sipas rekomandimeve të sugjeruara Kuvendit, ky institucion është i mendimit se procesi kompleks i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, nxjerr nevojën e miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të shpejtë të projektligjit, i cili do t’u japë mundësi trajtimi me dëmshpërblim edhe atyre ish të dënuarve politikë që nuk kanë mundur për arsye të ndryshme të plotësojnë dokumentacionin dhe paraqesin kërkesën, brenda afatit të parashikuar nga Ligji “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar. Në raportin e përgatitur në mars të 2013, por që do të shqyrtohet në ditët në vijim nga Komisioni i Ligjeve, thuhet se pavarësisht kërkesave të hershme për dëmshpërblim, që janë paraqitur nga subjektet e interesuara, përfaqësues të kategorisë së të internuarve ose të dëbuarve nga regjimi komunist, institucionet përkatëse shtetërore ende nuk kanë ndërmarrë iniciativën legjislative për t’i propozuar Këshillit të Ministrave, miratimin e skemës së pensionit me anë të Vendimit përkatës, skemë nga e cila do të përfitojnë dëmshpërblimin këto kategori ish të dënuarish politikë. “Efektivisht, mospërmbushja e këtij detyrimi ligjor identifikon, jo vetëm shkelje të parashikimeve ligjore, por edhe shkelje të së drejtës së ligjshme të individëve përfaqësues të këtyre kategorive të të dënuarve politikë nga regjimi komunist, për t’u trajtuar me dëmshpërblim sipas parashikimeve të Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar:, theksohet në raport. 
Greva e urisë
Lidhur me grevën e urisë gjatë vitit 2012, ku mbeti i vdekur një prej grevistëve, përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit shprehen veprimet e policisë të kryera me grevistët e urisë duke i hequr dhe mos lejuar futjen e për rrjedhojë përdorimin e lëngjeve (çajit), sheqerit, trisolit dhe kafes në ambientet e grevës janë jo ligjore dhe jo humane. Sipas specialistëve, ndërprerja e komunikimit të grevistëve me organet e medias cenon të drejtën e shprehjes së çdo njeriu për të dhënë opinione, për të dhënë e marrë informacione të garantuar nga neni 22/1 i Kushtetutës. Ndërkohë nga policia është cenuar edhe liria e shtypit, e radios dhe e televizionit e garantuar nga neni 22/2 i Kushtetutës. Në raportin që u është shpërndarë dje, në kutitë e tyre postare, deputetëve të Komisionit të Ligjeve, bëhet e ditur se në kohën e grevës gjatë vitit 2012, mjekët e pranishëm megjithë përkushtimin e treguar, nuk kryen detyrën e tyre për menaxhimin e grevës së urisë, sikurse parashikohet në disa akte ndërkombëtare të miratuara Asambleja Botërore e Mjekësisë dhe Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës. ”Personeli mjekësor dhe punonjësit e Policisë së Shtetit kanë nevojë që të njihen me aktet ndërkombëtare e rajonale që trajtojnë grevën e urisë dhe të trajnohen në vijimësi lidhur me mënyrën e menaxhimit dhe monitorimit të grevave të urisë”, theksohet në raport. Në vijim të konstatimeve të gjetura, Avokati i Popullit nënvizon se trajtimi i grevës së urisë nxori në pah mungesën e vullnetit nga ana e organeve përkatëse të administratës shtetërore për zhvillimin e dialogut me grevistët, për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme nga palët, kërkesë që nuk u mor parasysh, as pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit për këtë qëllim.

0 comments:

Post a Comment

 
Top