Kalon ilegalisht kufirin shqiptaro-grek, por gjendet i fshehur pas ndjekjes policore në shtëpinë e motrës së tij, ku u zbuluan tre skafe dhe një gomone që dyshohet se përdoreshin për narkotrafik ndërkombëtar dhe armatim i sofistikuar si snajpera dhe materiale të tjera si silenciatorë apo fenelina policie. Tre persona u arrestuan gjatë operacionit të zhvilluar nga Sektori Kundër Narkotikëve në Gjirokastër, në bashkëpunim me FNSH, Policinë Kufitare të Kakavijës dhe Policinë e Sarandës. Fillimisht gjithçka nisi si një kalim ilegal kufiri dhe mosbindje të urdhrit, por në pak orë do të zbulohej një organizatë e madhe me të dyshuar kryesor Xhelal Telo, 35 vjeç, banues në Çukë të Sarandës, të cilit iu kapën në magazinën e tij tre skafe, një gomone, dy motorë skafesh, tre automjete. Sekuestrohet edhe një valixhe me silenciator të armës së zjarrit, një palë dylbi snajperi, një palë doreza e një numër i madh targash të ndryshme automjetesh. Dy të tjerët e ndaluar janë Armand Alushaj, 37 vjeç dhe Saimir Kuçi, 31 vjeç, nga Tirana.

Operacioni
Me automjetin tip “Nissan”, me targa AA151DR, që drejtohej nga i dyshuari kryesor, Xhelal Telo, që udhëtonin nga Greqia për në Shqipëri, në doganën greke i janë shmangur kontrollit dhe janë larguar me shpejtësi, duke thyer traun e pikës së Kontrollit në Doganën e Kakavijës dhe janë futur në territorin shqiptar, me shpejtësi të madhe, ku kanë rrezikuar edhe jetën e oficerëve shqiptarë. Për pasojë është dëmtuar rëndë edhe trau i pikës së Kakavijës. Po për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Duke dyshuar se bëhej fjalë për një trafik ndërkombëtar droge, në aksion përveç Policisë Kufitare u angazhuan edhe FNSH-të dhe agjentët e Antidrogës. Të tre të dyshuarit mundën të arratiseshin në momentin e parë. Por u kapën pak orë më pas në zonën e Sarandës, afër Kanalit të Çukës të fshehur te shtëpia e motrës së Xhelal Telos. Nuk ka pasur rezistencë gjatë aksionit.

Organizata
Policia dyshon se bëhet fjalë për një organizatë të madhe të narkotrafikut mes dy vendeve. Pas arrestimit të Xhelal Telos, uniformat blu zbarkuan në banesën e tij në Çukë. Dhe aty janë surprizuar, teksa kanë parë se i dyshuari ishte pronari i 3 skafeve të mëdhenj dhe një gomoneje, në gjendje të mirë pune. Policia ka pasur sinjalizime shpesh se nëpërmjet Kanalit të Çukës trafikohej drogë drejt Greqisë, por vetëm dje zbuloi në magazinën e Telos katër mjete, dy motorë skafesh, tre automjete. Gjithashtu  një valixhe ku brenda saj kishte një silenciator arme zjarri, një palë dylbi snajperi, dhe një palë doreza dore. Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan një numër i madh targash të huaja si dhe një fenelinë policie. Kurse mjeti “Nissan” që theu traun e doganës u gjet i braktisur në Bularat të Dropullit.

Të arrestuarit:
Xhelal Telo, 35 vjeç, Sarandë
Armand Alushaj, 37 vjeç, Tiranë
Saimir Kuçi, 31 vjeç, Tiranë
Sekuestruar:
3 skafe dhe një gomone
2 motorë skafesh
4 automjete
1 valixhe snajperi me
doreza, silenciator e dylbi
1 fenelinë policie

0 comments:

Post a Comment

 
Top