Deputetja më e re e Kuvendit thërret për interpelancë ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, ka depozituar në Kuvend kërkesën për interpelancë me ministren e Arsimit, lidhur me maturën shtetërore. Kërkesa vjen pak ditë pasi në fjalimin e saj të parë në foltoren e Kuvendit, Mehmetaj ngriti shqetësimin e maturantëve lidhur me disa aspekte të Maturës Shtetërore.
“Disa javë më parë në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe të të gjithë maturantëve shqiptarë, bëra publik nga foltorja e parlamentit një ndër shqetësimet më të mëdha të sistemit arsimor në vend: “Maturën Shtetërore”. Përgjatë këtyre javëve ne kemi zhvilluar shumë takime dhe tryeza mbi këtë problematikë, me gjimnazistë, prindër, mësues, pedagogë dhe ekspertë të arsimit. Ajo që qartazi u kuptua nga këto takime ishte se maturantët, vit pas viti, bëhen viktima eksperimentesh të Ministrisë së Arsimit dhe udhëzimeve që mbivendosin njëri-tjetrin. Maturantët përveçse nuk kanë qartësi mbi procesin në të cilin duhet të kalojnë, hasin vështirësi të shumta, që ndër të tjera cenojnë edhe të drejtat e tyre si qytetarë të shtetit shqiptarë: mungesën e barazisë, transparencës dhe cilësisë. Janë të shumta dhe të pafundme shqetësimet që ngrihen nga gjimnazistët dhe ekspertët, po ju rendis më konkretisht disa prej tyre:
-Mosqartësia e vendosjes së gjuhës së huaj si provim i detyruar;
-Keqadministrim i ditës së provimeve, që i hap rrugë korrupsionit dhe për pasojë vlerësimit të padrejtë e fiktiv të tyre;
- Mungesa e theksuar e standardeve të njëjta për të gjithë maturantët ditët e provimeve;
-Zhvlerësim i punës tre-vjeçare, duke e barazuar vlerën e notës mesatare me vetëm njërin prej provimeve të detyruara;
-Probleme të theksuara me kurrikulat dhe në mënyrë të veçantë me tekstet që janë të pastandartizuara dhe sjellin konfuzion, shpërqendrim dhe pse jo korrupsion
Këto arsye dhe të tjera që janë ngritur, më shtyjnë sot, në cilësinë e deputetes së grupit parlamentar të LSI-së dhe në interes të mbi 400 mijë qytetarëve shqiptarë, të depozitoj një kërkesë për interpelancë me ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla.
Me dashje, ose pa dashje, ky sistem arsimor po prodhon breza të rinjsh, te cilët në të ardhmen nuk do të jenë të aftë të konkurrojnë në tregun e punës apo të drejtojnë vendin. Është e rëndësishme të ndërhyjmë tani, sepse përndryshe pasojat do të jenë të pa ndreqshme në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e Mehmetajt.

0 comments:

Post a Comment

 
Top