Persona të paidentifikuar thyejnë dhe më pas djegin makinën e oficerit të Zyrës së Auditit në Ministrinë e Brendshme, Flamur Çela. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në rrugën “Adem Jashari” në Tiranë, ku edhe zyrtari banon. Mjeti tip “Benz” ishte parkuar afër shtëpisë, kur u përfshi nga flakët rreth orës 02:40 të mëngjesit, kur zjarrfikësja dhe policia ndërhynë duke minimizuar dëmet.
Nga hetimet e para të kryera prej ekspertëve, rezulton se autorët kanë thyer xhamin e pjesës së pasme të derës së pasagjerit, e prej aty kanë futur një shishe benzinë duke spërkatur pjesën e brendshme dhe më pas vendosur zjarrin. Mjeti është djegur plotësisht nga brenda, por zjarrfikësit ndërhynë në kohë duke shuar flakët dhe minimizuar dëmet. Ngjarja është cilësuar si akt kriminal i qëllimshëm dhe që ka lidhje me detyrën e oficerit të MB, 46-vjeçarit Çela. Ky i fundit ka dhënë shpjegime për grupin hetimor rreth presioneve apo kërcënimeve që ka pasur, apo konflikte të tjera jashtë detyrës me persona të tjerë. Policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve në këtë rrugë dhe shpreson që nga verifikimet të zbulojë të dyshuarit. Një fakt i çuditshëm ka qenë se mjeti ishte i parkuar në afërsi të oborrit të shtëpisë.
Çela është pjesë e Auditit prej disa muajsh dhe dyshohet se sulmi ndaj tij mund të jetë një hakmarrje për kontrollet e ushtruara në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për aktivitetet financiare dhe administrative. Kujtojmë se Auditi i MB ka çuar në Prokurori për ndjekje penale kupolën drejtuese të Parkut të Ofiçinës së ministrisë, ish-zëvendësministrin Ferdinand Poni dhe disa zyrtarë të tjerë për tenderë e shpërdorim fondesh, ish-kupolën e Policisë së Shtetit për tenderin e reklamave 3,1 milionë euro në 2010, me ish-drejtorin Hysni Burgaj, nëndrejtorin Rasim Borishi dhe 8 zyrtarë të tjerë të lartë.

0 comments:

Post a Comment

 
Top