Zv.kryeministri Niko Peleshi tha sot se qeveria do të garantojë respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, një kategori që qeveritë e shkuara e kanë trajtuar si çështje e dorës së tretë.
Gjatë fjalës së tij në konferencën me temë “Drejtësia dhe personat me aftësi të kufizuara”, Peleshi tha se është i domosdoshëm ndërtimi i një marrëdhënieje të re të shtetit me këtë kategori shoqërore. “Në këto vite kemi arritur shumë pak, aq sa nuk mund të krenohemi. Nëse ka ca arritje në drejtim të përmirësimit të të drejtave të PAK, merita është e vetë atyre, po ashtu edhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë ndjeshmëri më të madhe ndaj kësaj kategorie. Ka ardhur koha të heqim dorë që çështjen e PAK ta konsiderojmë si çështje të dorës së tretë. E di që jeni lodhur nga premtimet pa fund të politikanëve gjatë këtyre viteve, por nëse ne nuk ndërtojmë një mentalitet qeverisës të ndryshëm dhe të ri, nëse nuk ndërtojmë një marrëdhënie me përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar nuk mund të arrijmë shumë”, tha ai.
Ai garantoi se mazhoranca qeverisëse do të punojë çdo ditë që të jetë më e ndjeshme ndaj kësaj kategorie për të vendosur një kulturë të re të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar.
“Ne do bëjmë punën tonë që të jemi një qeveri e ndjeshme, një qeveri që reagon ndaj presionit tuaj pozitiv për tu garantuar të drejtat tuaja. Janë hedhur disa hapa, është caktuar një zëvendësministre, sapo kemi ngritur komitetin ndërministror, kemi marrë angazhime të paktën për projektet që do zhvillohen me buxhetin e shtetit të ndërtojnë dhe infrastrukturën për PAK. Sfida është shumë më e madhe se kaq. Duhet të kujdesemi për aksesin sidomos për institucionet e drejtësisë. Ne do luftojmë çdo ditë për të marrë projekte në përshtatje me këtë kulturë të re të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar”, theksoi Peleshi.

0 comments:

Post a Comment

 
Top