Intervistë me Arben Meçaj 
Përse një nga themeluesit e PD-së mendon se Berishës i është lënë patenta për të shkaktuar tension dhe probleme. Cili është rrethimi institucional që iu bë Ramës në dy vitet e fundit. Çfarë fshehin deklaratat e Berishës për tritolin dhe kush janë grupet e padukshme që e ndihmuan. Çfarë tregon nisma e Berishës për protestë më 20 Shkurt dhe përse Berisha ka nevojë të demonstrojë forcë në këto momente

Zoti Meçaj, në një forum të realizuar në DITA, tre ekonomistë të pyetur pohonin se qeveria Rama trashëgoi një situatë të vështirë financiare e cila mund të precipitonte shumë shpejt. Sikundër të tre binin dakord se ishte marrëveshja e FMN-së më qeverinë Rama ajo që parandaloi një “skenar grek” të aplikuar në Shqipëri. Ju, që prej vitit 2009 keni bërë të ditur publikisht rrezikun e destabilizimit financiar të Shqipërisë. Sot pas afro 4 vitesh, si e shikoni këtë situatë?
Është një forum që e ndoqa me shumë interes, aq më tepër që protagonist ishin tre ekonomistë, emra të njohur të analizës makro dhe mikro ekonomike.
Është një çështje për te cilën qysh prej vitit 2009, kam mbajtur një qëndrim kritik , duke paralajmëruar që në një zhvillim normal, të paparamenduar, vendi po futej në një proces të një krize serioze.
Por qëndrimi im,u radikalizua, kur pas vitit 2011, veçanërisht  kur financat shqiptare nisën të ballafaqohen me fenomene dhe vendimmarrje të cilat qëllimisht po e orientonin ekonominë drejt krizës.
Në këtë moment ndahem dukshëm nga qëndrimi i shprehur nga njëri prej analistëve, sipas të cilit, Berisha në vitin 2013 ishte duke u përpjekur për të marrë mandatin e tij të tretë ,dhe se për këtë arsye nuk mund të linte “tokë të djegur”.  Kjo gjë nuk është aspak e vërtetë.
Arben Mecaj
Arben Mecaj
Që pas 21 janarit 2011, Berisha u qartësua se e kishte humbur mbështetjen popullore.
Ai po e mbante pushtetin thjesht në kuadër të legjitimitetit që i buronte nga zgjedhjet e vitit 2009. Ndërkohë ,nga ky moment Berisha nuk luftonte më për mbajtjen e pushtetit në një mandate të tretë, por u investua në shkatërrimin e çdo baze ekonomiko-ligjore të qeverisjes së re, me qëllim prodhimin e një terreni “plotësisht të minuar”, dhe absolutisht të vështirë për një qeverisje të re që pas qershorit 2013 do të ishte pa kushte qeverisje e PS-së.
Më tej si fazë të dytë Berisha do ndërtonte skemën e riciklimit.  Por tashmë, si “ shpëtimtari “ mbi atë tokë ku minat kishin plasur, por jo në dorë të tij, por në dorë të PS-së.

Cilat kanë qenë “minat” që ishin bërë gati për shpërthim?
Së pari, Berisha kuptoi që në terrenin e ri politik post 23 Qershor , i duhej medoemos, një administratë e tij, një gjykatë e tij, një polici e tij.  Në këto kushte, në këtë periudhë ai rriti dukshëm presionin ndaj ish-opozitës socialiste,  për miratimin “konsensual” te ligjit për administratën, duke e vënë PS-në përpara “gogolit”  të bllokimit të integrimit të Shqipërisë.  Më tej, në këtë periudhë, administrata u mbi-militantizua, duke u deformuar si strukturë, duke u fryrë tej përmasave.
Ndërhyrje serioze u realizuan në kapjen politike të institucioneve të pavarura. Kontrolli i Lartë i Shtetit, ILDKP, Presidencë, KLD, Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë e Lartë etj.
Në finale, mund të themi se në momentin kur Berisha përgatitej të dorëzonte pushtetin, komplet administrata e lartë publike e varur dhe e pavarur ishte nën kontroll të drejtpërdrejtë të Berishës.
Së dyti, ndërhyrje dhe deformime serioze, u realizuan në sektorin ekonomik:
a) U prodhua një borxh i jashtëzakonshëm i fshehur ose jo në buxhetin e shtetit.
b) U zvogëlua dukshëm likuiditeti në treg.
c) U deformua në mënyrë skandaloze, marrëdhënia në sistemin bankar.( Marrëdhëniet me Bankën Kombëtare , Marrëdhënia e Bonot e Thesarit , bilanci i brendshëm  i tyre , kreditë e këqija dhe ekzekutimi i tyre etj etj )
d) U deformuan dukshëm bilancet dhe informaliteti në marrëdhënie  me buxhetin. Me pasojë, një performancë absolutisht të dobët fiskale.
e) U prodhua një monopoli(ti)zim i frikshëm i ekonomisë shqiptare, nëpërmjet politikave koncesionare.
f) U zbraz, në mënyrë drastike arka e qeverisë.

Pra ju po thoni se Berisha i ka bërë rrethim institucional dhe minim ekonomik qeverisë së re?
Pikërisht këtë kam thënë më lart. Në këtë kuadër, për të mos e lënë thjesht çështjen në teori, le të analizojmë periudhën pas zgjedhjeve, ose më saktë pas Shtatorit 2013.
Së pari, e gjendur përpara një situate, emergjente, ku arka ishte bosh, ndërkohë jeta vazhdonte dhe përgjegjësia e pagesës së rrogave dhe pensioneve apo asistencës etj, binte drejtpërdrejtë mbi qeverinë e re, qeverisja ndërmori një akt anormal për një situatë normale, por më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm në situatën e emergjencës. Marrjen e një borxhi të brendshëm, rreth 400 milionë euro. Do të desha që qeveria në këtë moment, të tregohej shumë më transparente në motivin e marrjes së këtij borxhi dhe jo të justifikonte të ashtuquajturën shlyerje të borxhit për sipërmarrjet. Po, ky borxh është marrë që jeta të vazhdonte në Shqipëri, që qytetarët e Shqipërisë të mos mbanin mbi kurriz një akt të papërgjegjshëm, cinik, kriminal, që në ikje e sipër, Berisha nuk la në buxhet as rrogat e qytetarëve. Gjithsesi, qeveria pati motivet e veta, pavarësisht kontestimit tim. Ai akt është konsumuar tashmë, Reagimi i Berishës, një lum deklaratash, nga dhjetëra drejtime, mbi dështimin e premtimeve të qeverisjes së re. Deklarata që personalisht i prisja të bëheshin ,sepse për to ishte përgatitur situata.
Së dyti, e gjetur përpara një situate të panjohur, qeverisë së re, i duhej të ndërtonte me urgjencë një skemë paralele, ri-formatimin e sistemit fiskal, goditjen e informalitetit dhe evidentimin e situatës reale financiare të shtetit shqiptar. Si bazë, për të dhënë garancinë, financiare të mëtejshme të qeverisjes. Pra, për të krijuar shtratin e qeverisjes së saj.
E them e qeverisjes së saj, sepse të gjitha masat dhe situata që shpjegova më lart mund t’i përmbledh si një “platformë çminimi”, e fushës së minuar në sektorin ekonomik. E shoh më se të drejtë angazhimin e drejtpërdrejtë dhe të shpejtë të qeverisjes me stabilizimin e këtij sektori, si një sektor me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetari shqiptar.
E gjykoj gjithashtu  shumë të drejtë dhe lidhjen e qeverisë me FMN-në, si dhe angazhimin direkt të këtij institucioni kaq të rëndësishëm politiko-ekonomik, me kontribute  të rëndësishme gjeopolitike në procesin e çminimit dhe kthimit në normalitet të ekonomisë shqiptare.
E theksoj këtë sepse  këto dy aksione dhe iniciativa te qeverise Shqiptare , qenë faktori kryesor që dogjën përfundimisht “skenarin grek” në Shqipëri,  aq shumë të dashur në tre muajt e parë nga Berisha.
Sot që flasim, ky kapitull është potencialisht i mbyllur. E natyrisht, skenarizuesit e saj e kanë kuptuar një gjë të tillë.
Së treti, qeverisjes ju desh që me urgjencë të ndërhynte në një sektor shumë jetik të sigurisë kombëtare, policisë. Terreni shqiptar, në 20 vitet e fundit karakterizohet nga një anarki e përgjithshme, lehtësisht e menaxhueshme për ta nxjerrë jashtë kontrollit, në kushte psikologjike të një amplifikimi të mungesës  dhe kriminalizimit të shtetit dhe paaftësie të organeve policore, Shqipëria shumë lehtë mund të bjerë pre e destabilizimit kriminal.
Ky terren i njohur mjaft mirë prej Berishës, pritej të shfrytëzohej edhe në periudhën e qeverisjes së re.

Ju po thoni, që Berisha pas daljes në opozitë, kishte planifikuar dhe nxitjen, apo intensifikimin e aktivitetit të nëntokës kriminale?
Në strategjinë politike të Berishës, të riciklimit të tij, krahas aktit kriminal të sabotazhit ekonomik, nuk ka asnjë arsye përse të hedhim sytë edhe në këtë korridor. Theksoj, është një korridor për të cilin nuk ka nevojë shumë për investime njerëzore,sepse ai është vetë terreni shqiptar. Ka nevojë vetëm për mbështetje deklarative.

I referoheni valës së shpërthimeve me tritol kur flisni për këtë mbështetje?
Është një situatë në të cilën, çfarë thashë më sipër, është argument. Personalisht, për këtë fushatë unë kam qëndrimet e mia të cilat tejkalojnë dhe radikalizojnë qëndrimin e derisotëm opozitar pse jo dhe atë të shprehur qeveritar.

Që do të thotë?
Do të thotë se sot pretendohet se është kapur një grup kriminal, i cili përbënte bërthamën e një aktiviteti bombë-vënës në Shqipëri.
Mundet që nën frymën dhe opinionin e aktivitetit të këtij grupi, por  dhe nën amplifikimin e orkestruar të opozitës mbi rënien e shtetit, mbi rënien e policisë, grupe të tjera kriminale apo individë të tjerë, të penetronin në mjegullën e prodhuar. Duke prodhuar së bashku një frymë e cila për hir të së vërtetës pati efekte jo të vogla në opinionin publik. Neutralizimi i këtij grupi vendosi përpara presionit dhe individë apo grupe kriminale ,duke bërë që aksioni gjithëpërfshirës në Shqipëri të frenohej.
Por, nuk kemi pse të mos marrim dhe në konsideratë, një aksion të mirë orkestruar me qëllim destabilizimin e Shqipërisë në sektorin e sigurisë. E theksoj këtë, sepse intensifikimi i kohor i këtyre akteve në vetëm një muaj, shpërndarja gjeografike dhe politike e tyre, nuk justifikojnë gjykimin e aksioneve kriminale.
Nuk mund të justifikohet që të gjithë kriminelët e Shqipërisë, ti “qërojnë  hesapet e tyre” me bombë-vënie me telekomandë të gjithë së bashku brenda një muaji. Por njëkohësisht nuk mund të justifikohet nën këtë këndvështrim, bombë-vënia tek shtëpia e kreut të PD-së së Pogradecit, e kryetarit të komunës Qendër në qendër të qytetit të Vlorës, e shtyllës së tensionit të lartë etj etj.

Në fakt Berisha ka qenë protagonist i dorës së parë në deklaratat për tritolin. Dua të veçoj dy momente të tij: Së pari blofin se ishte vetë Rama që kishte inskenuar vendosjen e bombës në mjetin e Prefektit Dervishi. Dhe së dyti momentin me “sms” që dërgonte për gazetarët në studion e emisionit Opinion, ku dukshëm Berisha ishte i investuar në goditjen e linjës së policisë. Mendoni se tashmë ai është ekspozuar më shumë se ç’duhet në frymëzimin e kaosit?
Në fakt, ju po flisni për deklarime të Berishës. Ka një të vërtetë, e cila rrjedh edhe nga karakteri i tij dhe nga pasiguria absolute që i vjen si pasojë e bindjes që ai ka mbi impotencën e ekipit të tij. Kjo e bën të ekspozohet si protagonist. Një protagonizëm i lodhshëm, vulgar, por dhe i shëmtuar në gjykimin tim. Nuk do të qëndroj tek protagonizmi i tij. Por tek skema e 5 muajve të fundit, çështjet të cilat ai i propagandon i pari dhe më pas ia amplifikojnë një aparat i tërë propagandistik: deputetë, zëdhënës, kryetar partie, analistë, media, OJF etj etj.
Së pari, goditjet e Berishës kanë qenë në fushën e ekonomisë.
Së dyti, në fushën e policisë.
Së treti, në fushën e administratës.
Këto tre pista, përbëjnë thelbin e propogandës së riciklimit.
Ndërkohë dy të parat, janë ballafaquar, pse jo me dështime, dua të them, që në këto pista ai nuk ka arritur dot ku synonte pasi  qeverisja ka triumfuar, lufta për administratën është një proces për të cilën tani për tani nuk mund të flasim dot.

Ju folët më lart për një rrethim institucional. Por është një rrethim që i bëhet një maxhorance me 85 vota në Kuvend. Me këto vota maxhoranca mund të çajë rrethimin, por nuk po e bën. Si e shpjegoni?
Në fillim unë fola për fushë të minuar. Çminimi i së cilës, përbënte emergjencë kombëtare dhe kërkonte kohën e vetë. E në këtë argument, po i  risjell dhe njëherë dy pistat kryesore emergjencën në ekonomi dhe emergjencën në siguri.
Ndërkohë kur rrethimi ka të bëjë me ligjin për administratën dhe menaxhimin e institucioneve të pavarura, por, siç e thashë më sipër, të okupuara nga elementë militantë (nëse do i qëndroj analizave dhe komenteve tuaja të herëpashershme, pse jo dhe militarë, kam parasysh SHIP-in, Shërbimin Informativ të Partisë).  Kjo betejë, deri më sot,  gjykoj se po luhet në fushën e Berishës. “Kompromisi” , si kusht i vendosur nga opozita e Berishës, si dhe legjislacioni tashmë i blinduar në periudhën 2011-2013 prej tij, përbëjnë pengesa të jashtëzakonshme politike, për zgjidhjen e këtij ngërçi që ka kapur prej fyti, jo thjesht qeverisjen aktuale, por komplet sistemin në Shqipëri.
Zgjidhja e ngërçit kërkon kohe, por mbi te gjitha vendosmëri dhe asgjë më tepër se vendosmëria.
Ai tashmë është emergjent, çdo vonesë do të rrezikojë seriozisht pse jo dhe sigurinë kombëtare.

Si e shikoni ju organizimin e Berishës për një miting më datën 20 Shkurt?     
 Po të shihni me vëmendje platformën mbi të cilën është ndërtuar propaganda e këtij mitingu, do të shihni, të materializuara teza, të cilat janë thjesht zbërthim propagandistik i asaj çfarë thashë më sipër. Flitet për rrënim ekonomik, për krimin që lulëzon dhe për revanshin administrativ të qeverisë.
Në fakt, që të jem i sinqertë me ju, për mua ky miting, nuk ka të bëjë me asnjërën nga këto të treja.
Ky miting, është i domosdoshëm, për Berishën dhe Bashën, për të demonstruar forcë, për të demonstruar mbështetje, për të penguar në mënyrë demonstrative, çdo lloj aksioni shtetëror për neutralizimin e efektit dhe rrethimit të parapërgatitur të Berishës, qysh para vitit 2013.
Në këtë miting, dhe pse militantët janë përgatitur shpirtërisht për të rrëzuar qeverinë, nuk do ndodhë asgjë.
Jam i sigurt, që njerëzit do të ballafaqohen me një grup police femra por dhe me një realitet të hidhur, se nuk rrëzohet qeverisja me mitingje.
Qeverisjen do ta rrëzojë vetë qeverisja. Që ta them më qartë, një qeverisje të mirë, nuk e rrëzojnë dot as protestat më të mëdha, të cilat gjithsesi do të jenë të pakicës, e një qeverisje të keqe.
Qeverisjen do ta rrëzojë një frymë mbarëpopullore objektive dhe e bindur për një qeverisje të keqe. Eksperienca e vitit ’90, ’97, 2005, 2013, vërtetojnë sa thashë në mënyrë aksiomatike. Transformimin politik nuk e kreu as revolta as protesta por thjesht administrimi i pakënaqësisë ndaj qeverisë.
Në këtë moment opozitës nuk i nevojitet të organizojë mitingje, por thjesht me paqe të administrojë këtë frymë.
Që ta them shkurt, kjo frymë nuk prodhohet nga opozita, atë e prodhon qeverisja, opozita thjesht e administron frymën e pakënaqësisë. Nuk gjykoj që në 6 muaj qeverisje, që më tepër se sa program qeverisës, ka qenë kohë për çminim dhe administrim emergjence, opinioni shqiptar të jetë ngarkuar me frymë të keq-qeverisjes.
Ndërkohë me shqetësim mund të them, se kjo protestë, nuk do të kalojë pa pasoja në Shqipëri.

Në ç’kuptim?
Në kuptimin që Berisha aktualisht ka patentën e pandëshkueshmërisë dhe licencën për të mbajtur shoqërinë nën tension.
Në parlament, ai ka të drejtë ekskluzive, ta dominojë sallën, ka të drejtë ekskluzive, të mbajë nën kontroll formal çdo deputet, ministër.
Në opinion ai ka të drejtë të transmetojë legjitimitetin e informacionit të klasifikuar ose jo, të sekreteve shtetërore, aksioneve të policisë, krimit të organizuar etj.
Tek militantët e vetë ai është mesia, ai është Zoti, ai është pushteti, e në popull ai është frika për të sotmen dhe të nesërmen e sigurt. Tek biznesmenët dhe investitorët ai është destabiliteti, pasiguria.
Përballë, një shteti të dobët, të pasigurt dhe të pavendosur , po, Berisha dhe për mua shfaqet fiks i tillë.
E kjo nuk është e drejtë, pas 23 vitesh demokraci zhgënjyese.
Askush nuk mund të ketë licencë për ta  lejuar dhe për trazuar jetët tona.

0 comments:

Post a Comment

 
Top