VLORE - Vetëdorëzohet në Policinë e Vlorës, Andon Mëhillaj, njëri nga dy kushërinjtë e dyshuar si porositësit e disa prej krimeve të “killerit” Julian Sinanaj, të cilët u shpallën në kërkim ndërkombëtar për “terrorizëm”. 

Burime nga Policia e Vlorës bëjnë të ditur se Andon Mëhillaj ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, duke pretenduar se nuk e njeh vrasësin Juljan Sinanajn.

Mëhillaj ka kërkuar siguri për familjen e tij, duke u nisur edhe nga ngjarja e ditëve të fundit në banesën e tij në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, ku shpërtheu një sasi eksplozivi. 


Andon Mëhillaj u transportua nga Vlora në Tiranë rreth orës 12:00, pasi ai është nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Me interes nga grupi i hetimit në Prokurorinë e Krimeve te Rënda, që po heton çështjen e “grupit të tritolit” pritet dhe seanca me pyetje ndaj Mëhillajt. 
Mësohet se brenda tre ditësh, Mëhillaj do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e arrestit marrë në mungesë ndaj tij. 


Avokati mbrojtës i Andon Mëhillaj, Edmond Dema deklaroi se klienti i tij është akuzuar padrejtësisht nga mediat, pasi prokuroria nuk ka ngritur asnjë akuzë ligjore ndaj tij. 
“Ka qenë një vetëdorëzim vullnetar i tij. Eshtë bërë tërësisht në vullnetin e tij të lirë. Eshtë vonuar pak pasi të rregullonte problemet e veta familjare, ka lënë jashtë gruan dhe dy fëmijë. Mediat kanë ngritur akuza ndaj tij, por nuk ka patur asnjë akuze ligjore te ngritur nga ana e prokurorisë. Ai nuk i pranon akuzat te cilat shtypi i ka drejtuar ndaj tij. Nuk ka pranuar asnjëherë se ka qenë ai personi qe ka urdhëruar dhe sidomos nuk ka lidhje me të gjitha ngjarjet e tjera siç është thënë nga shtypi se ai ka qenë ndërmjetësi. Andon Mëhillaj realisht është rënduar nga ana e shtypit, është quajtur si sekser, ndërmjetës, ai është baba i dy fëmijëve, ka bërë një jetë të rregullt familjare, nuk ka qenë asnjëherë i dënuar.”- deklaroi avokati. 

Sipas avokatit Dema, Andon Mëhillaj ka patur njohje me vrasësin Juljan Sinanaj, madje ky i fundit e ka përndjekur dhe kërcënuar. 

“Ka patur njohje me Sinanaj por jo të asaj shkalle dhe në atë kohëzgjatje të madhe që ka pretenduar Juljani. Ka patur një periudhë kohe të gjatë kur ata nuk kanë folur, ka qenë nën kërcënimin e Juljanit për pak kohë. Andoni ka qenë i përndjekur nga ana e Juljanit”- deklaroi avokati. 

Avokati ka hedhur poshtë pretendimet se Andon Mëhillaj ka kaluar kufirin shqiptar, pas arrestimit të Juljan Sinanajt, duke siguruar se gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në Vlorë. 

“Gjatë kësaj kohe Andoni ka qenë në Vlorë. Këmbëngulja për tu vetëdorëzuar ka qenë e tij. Dorëzimi i tij nuk është nga frika, por vetëdorëzim i ndërgjegjshëm. Nga ana e policisë është ofruar ndihma që për familjen e tij do ti qëndrojnë afër.”- deklaroi avokati. 

KUSHERINJTE MEHLLAJ NE KERKIM NGA INTERPOLIgenis mehillaj
Kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj “humbën gjurmët” pas publikimit të lajmit për arrestimin e Julian Sinanajt. Ata dyshohet të jenë “sekserët” e Sinanajt, personat që ndërmjetësonin mes porositësve të vrasjeve dhe ekzekutorit Sinanaj. 

Ky fakt është pranuar nga ana e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Sinanaj, sipas të cilit kushërinjtë Mëhillaj kanë ndërmjetësuar tek ai për të kryer krime për llogari të tyre, ose për llogari të personave të tjerë. Sipas Policisë së Shtetit, nga kushërinjtë Mëhillaj është porositur te Julian Sinanaj kryerja e krimeve: vrasja e shtetasit Sokol Veizi më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës; vrasja e shtetasit Agron Çela më datë 20 gusht 2013 në Vlorë, vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi më datë 1 qershor 2013 në Vlorë; vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E. B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013 dhe vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E. B. në Vlorë më datë 31 gusht 2013. 

Pak ditë më parë, faqja zyrtare e Interpolit në internet ka shtuar fotografitë e dy kushërinjve Mëhillaj në listën e personave të kërkuar “Wanted”.  Në kategorinë e akuzave ndaj dy kushërinjve Mëhillaj renditen të parat në radhë ato të “akteve terroriste” dhe të “financimit të terrorizmit”. Me tej akuzat ndaj tyre vijojnë me “fshehje nga organet e drejtësisë”, “fshehje të fondeve dhe pasurisë që financojnë terrorizmin”, “dhënie informacioni nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “prodhim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve ushtarake” dhe për “trafikim të armëve dhe municionit”. 

0 comments:

Post a Comment

 
Top