TIRANE - Julian Sinanaj, i dyshuar si killer me pagesë ka përfituar dy shtëpi në qarkun e Vlorës, për ekzekutimet që do të kryente. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar dy kontrata noteriale, ku vërtetohet kalimi i pronësisë së këtyre pronave të paluajtshme në emrin e nënës së Julianit, Zana Sinanajt. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga njëra kontratë e firmosur para noteres A.M, rezulton që Marjon Mitro, i dyshuar si porositës i lëndës eksplozive që u zbulua më 13 janar 2014 në makinën e prefektit të qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi, i ka kaluar në pronësi nënës së të dyshuarit Sinanaj, një pronë të paluajtshme, konkretisht një shtëpi. Kjo pronë, nga verifikimet rezulton se ndodhet brenda në qytetin e Vlorës dhe dyshohet që i është dhënë Sinanajt, si ‘shpërblim’ për ekzekutimin që duhet të kryente, atë të Dervishit, plan të cilin ai nuk mund ta realizonte, pasi lënda eksplozive u zbulua teksa makina e prefektit po hynte në parkimin e Kryeministrisë. Kontrata noteriale sipas hetuesve është bërë pjesë e dosjes dhe u zbulua pas rrëfimit që i dyshuari Sinanaj, bëri pas arrestimit, ku vendosi të bashkëpunonte me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të rrëfente krimet që ka kryer dhe do të kryente në të ardhmen. 
Kontrata e dytë 
Sipas një kontrate të dytë noteriale, tashmë pjesë e dosjes hetimore, një apartament në Orikum, rezulton të jetë kaluar në pronësi të nënës së Sinanajt. Kompania e ndërtimit, emri i së cilës nuk bëhet e ditur për arsye hetimi, për llogari të Andon Mëhillajt, ja ka kaluar pronën nënës së të dyshuarit për vrasjet me pagesë. Andon (Erjon) Mëhillaj dhe Genis Mëhillaj, dyshohen si ndërmjetës mes porositësve të krimeve dhe të dyshuarit si killer me pagesë, Julian Sinanajt. 
Më herët, Sinanaj u kishte thënë hetuesve se për vrasjen e peshkatarit Sokol Veizi, më 26 gusht 2012, kishte përfituar një sipërfaqe toke në Orikum. Ndërsa rezulton se pas kësaj vrasje, e ëma e tij është bërë pronare, sipas kontratës noteriale të sekuestruar si provë tashmë, e një apartamenti po në zonën e Orikumit. Hetuesit ende nuk kanë mundur të hedhin dritë se për cilin nga krimet Sinanaj është shpërblyer me këtë apartament, me një vlerë të konsiderueshme. 
Verifikimet për pasuritë 
Në dëshminë e tij Julian Sinanaj, jo vetëm e implikon Marjan Mitron si porositës të eksplozivit të zbuluar në makinën e Dervishit, por ka shkuar dhe më tej, duke ‘zbardhur’ dhe lidhjet e tij me politikën. I dyshuari si vrasës me pagesë, u tha hetuesve se Mitro, ish-punonjës i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor pranë Bashkisë së Vlorës, ka aksione në disa biznese (lokale) në zonën e Vlorë. Aksionerë në këto biznese, sipas tij, janë dhe emra të njohur të politikës, natyrisht përmes të afërmve të tyre. Për të verifikuar nëse ekziston ndonjë lidhje e këtyre njerëzve të politikës me krimet që dyshohet se ai ka porositur, Prokuroria për Krime të Rënda, po kryen të gjitha verifikimet, me qëllim që të verifikojë dhe vërtetësinë e thënieve të Sinanajt.

0 comments:

Post a Comment

 
Top