“Duhet të vazhdoni me reformat sepse realizimi i tyre ju jep besueshmëri tek vendet anëtare por në radhë të parë te qytetarët tuaj. Keni mbështetjen tonë për të gjitha këto hapa që po ndërmerrni”.
Kështu u shpreh Drejtori  për Ballkanin Perëndimor  në Ministrinë e Jashtme të Suedisë Ola Svenningson, i cili shtoi se vizita në Shqipëri është një mesazh i qartë inkurajues për mbështetjen që Suedia i jep Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Këto deklarata Svenningson i bëri gjatë takimit me ministren e Integrimit Klajda Gjosha.
Pasi falenderoi delegacionin suedez për mbështetjen që Suedia i dha Shqipërisë në muajin dhjetor kur u  mor vendimi për statusin e vendit kandidat, Gjosha i njohu të pranishmit me reformat që po ndërmerr qeveria duke theksuar se momentalisht po punohet fort me dy reforma  të rëndësishme siç është ajo në Drejtësi apo Reforma Territoriale-Administrative.
“Kemi ftuar opozitën të jetë pjesë e këtyre reformave. Siç e dini maxhoranca ka votat në parlament për të kaluar të gjithë nismat ligjore, por kur vjen puna në çështje me rëndësi madhore për vendin ne opozitën duam ta kemi në tryezë, në mënyrë që të shkëmbejmë idetë dhe alternativat. Duhet vullnet i përbashkët”, tha ministrja Gjosha.
Në vijim ajo theksoi se në fund të Shkurtit  do të nisë turin e vizitave në  vendet e rajonit dhe një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për të dëshmuar  mbi punën e qeverisë në funksion të procesit të integrimit.
Gjosha nënvizoi se plan-aksioni për 5 prioritetet është i rëndësishëm për të zhvilluar më tej vendin.
Ministrja u ndal edhe tek bashkëpunimi rajonal, i cili sipas saj është i domosdoshëm  jo vetëm për perspektivën e përbashkët evropiane, por edhe për të tërhequr sa më shumë investitorë.

0 comments:

Post a Comment

 
Top