berisha-me-ipad-1024x717
Pak ditë më parë, gazeta “RD”, organ i Partisë Demokratike, përmes një artikulli me autor anonim, që jo rastësisht mund të jetë edhe vetë Berisha, trumbetoi se së shpejti në Shqipëri do të përsëritet skenari i Bosnjes. Nuk e përdora rastësisht foljen “trumbetoi”, sepse në të vërtetë, ai shkrim dhe thirrjet haluçinante të Berishës në FB, por edhe në parlament, nuk janë asgjë tjetër, veçse thirrje për luftë përmes trumbetës së tij vrastare. Berisha ka shkuar edhe më tej se gazeta e tij dhe artikulli anonim..ai ka rrokur hapësira më të gjëra të demonstrimit të tij, që nga shembja e përmendoreve të gjalla e deri në Ukrainë, në të cilën ngjarjet tashmë po bëhen dramatike. Ai mund të jetë i vetmi njeri në këtë vend që pas flakës, tymit, dhunës, vrasjeve sheh pushtetin.


Eshtë 20 shkurt. Do të “njësohet” ëndrra berishiane me të vërtetën që është jashtë dëshirës së tij? Do të zgjohet ai nga kllapia apo do të kërkojë edhe sot, në këtë fund shkurti mbetjet e 14 shtatorit të vitit 1988, do të gjurmojë përmes hirit të djeshëm atë që ka lënë pas në gjithë jetën e tij, kaosin dhe dhunën?
Cilin skenar do të përdorë sot Berisha?
Të Bosnjës – me disa ndërtesa të djegura, që në të vërtetë nëse ndodh kështu, për të dhe mendësinë e tij, do të thotë tërheqje, pasi nuk është mësuar vetëm me kaq, por edhe me pushtim godinash qeveritare, rrëmbime tankesh, (disa mendje ” të ndritura” thonë se fajtorë janë ata që i nxjerin në rrugë e jo grabitësit), zaptim të RTSH, thirrje spahillare se “e përmbysëm”, ngadhnjim fitoresh të çjerrura, e pastaj, si në shumë epiloge të dhunës demonstrative, në bastisjen e dyqaneve.
Të Ukrainës – pra, me pushtimin e godinave qeveritare, si hap i parë, dhe pastaj eskalimi i dhunës, jo vetëm përmes djegjeve, por edhe të vrarëve. Nuk është e rëndësishme se nga cila anë do të jenë ata, demonstrues të zakonshëm qofshin apo policë hallexhinj. Kjo do të ishte inversi i 21 janarit dhe do të vërtetojë edhe një herë teoremën se, nga cilado anë të jetë Sali Berisha, përfundimi është gjithnji me të vrarë.
Protestë normale – kjo është diçka larg mendjes së SB, është diçka që zakonisht nuk ia rrok mendja, pasi në të gjithë këto ditë ia ka bërë hesape të tjerë, jo kaq të qetë, mirëpo brenda vetes ka ankthin e kahmotshëm; diplomacinë ndërkombëtare, që i rri mbi kokë si këmbanë. Normaliteti dhe SB janë dy të kundërta që nuk takohen kurrë, nëse kësaj here do të ndodhë kjo, e gjitha mund të jetë shenjë e frikës së pasojës së tejkalimit edhe një herë të caqeve; por edhe mungesa e mbështetejs nga brenda, që tashmë po shfaqet përherë e më dukshëm.
E drejta e protestës në një shtet demokratik  është ligjësi; kush ngrihet kundër kësaj të drejte ai duhet fakur jashtë politikës dhe jashtë qeverisjes. Por, kur abuzon me të drejtën , ajo kthehet kundër teje.
PD ka të drejtën e saj, gjithë ditën e gjithë natën, për të protestuar, por nuk ka të drejtën e dhunës, si po e shpall haptas lideri faktik i saj. Shembujt e deritanishëm në abuzimin e së drejtës kanë shkuar gjithnjë përtej logjikes, racionales dhe të arsyeshmes; ndoshta sepse u ka prirë një njeri që e humb shumë shpejt logjikën.
PD ka të drejtën e saj, gjithë ditën e gjithë natën, me cilin dëshiron dhe ku dëshiron, të protestojë kundër qeverisë. Pra, ka të drejtën të jetë forcë antiqeveritare, por nuk është në të drejtën e saj, nëse synimi është zjarri dhe rrënimi.
Nëse ndodh vetëm e para, e drejta e protestës, kjo do të thotë se dikush në PD ka filluar të mbushet në mend, ose qw frikësimi prej ngjarjeve të fundit është më i madh se sa guximi i tij rrugaçëror. Nëse ndodh e dyta, kjo do të thotë se gjërat kanë dalë përfundimisht jashtë binarëve dhe ata që marrin përgjegjësinë për valë të reja dhune, duhet të marrin edhe ndëshkimin.
PD ka të drejtën e saj, gjithë ditën dhe gjithë natën, për të thirrur në protestë, me të gjitha mënyrat, që nga rrjetet sociale, pankartat, komunikimet verbale , e deri tek reklamat TV, të gjithë njerëzit që i duhen militantë dhe metingashë, të rrënuar apo të pasur, pushtetas të djeshëm apo aspirues së demokracisë së vërtetë. Ajo ka të drejtën të mbledhë rreth vetes ata që mendon se janë kontigjenti i saj, por nuk është në të drejtën e saj që në rrugë, përmes dhunës, deri tek përgjakimet, të ndryshojë verdiktin e popullit, si e ka bërë shpesh herë dhe si mendon ta bëjë sërish, pasi ky verdikt, me më shumë se 1 milion vota kundër, e ka nxjerrw këtë parti në minorancë politike si asnjë herë tjetër. Ajo, PD-ja e di mirë se për çfarë u ndëshkua , dhe , përse ishte në bjerrje të vazhdueshme, është puna e saj nëse e analizon apo jo këtë humbje, por nuk është e drejta e saj që ndëshkimin ta hedh tek njerëzit, tek pushteti, tek të tjerët, që nuk kanë asgjë të përbashkët me programin e saj. Kronikat e deritashme të PD, shumë shpejt që pas krijimit kanë dëshmuar se ajo ka shkuar gradualisht, por thekshëm, drejt banditizmit, dhe se shenjat e tashme, aq sa nuk janë ogurmbara, aq edhe janë të prapshta.
Gjuha e përdorur nga Berisha deri tani, ndryshe nga disa partiakë të tjerë në PD, është ajo e urrejtjes, e dhunës, e frikësimit, e përmbysjes me çdo mjet, është ku e ku më e ashpër, me demoniake dhe haluçinante sa ajo e përdodur kundër regjimit serb nw pikun e krimeve të tij. Berisha ka dëshmuar se në rrugën e tij nuk ligështohet nga ajo që lë pas, sepse nuk është e tija, por mjet i huaj për të vendosur pushtetin e tij, ndaj edhe nuk i dhëmb. Ai nuk ka pasur kurrë dert se çfarë humbasin të tjerët, sepse është përsëri jashtë tyre…pa asgjë në ndërgjegjen njerëzore, e jo më në ndergjegjen e e njeriut të politikës. Ai vrau ftohtësisht në mesin e ditës dhe në mesin e Tiranës, nuk u ligështua kur pas skandalit të Gërdecit e masakrës së saj, qëndronte i biri…këto janë jashtë vemendjes së tij, ashtu si jam i bindur se ka shumë e shumë vite që nuk ka shkelur tek shtëpitë e dëshmorëve të demokracisë, duke menduar se “rregullimi” me copra kockash ekonomike ka qenë i mjafrtueshëm.
Ai i ka haruar ish të burgosurit politik dhe me ndonjë përjashtim të minuts së fundit, si poeti i shquar Visar Zhiti, nuk gjen më askënd pranë tij; ai i ka haruar familjet e të përndjekurve politikë, sepse nuk ka qenë kurrë pjesë e tyre, të gjithë i ka parë dhe i sheh edhe sot, në 20 shkurt si mjete  të pushtetit…por mjafton vetëm një fjalë në parlament kundër bëmave të të birit ose të së bijës, dhe ai tjetërsohet, bishërohet, nxiet dhe çiret, kërcënon në sytë e gjithë botës, dhe nuk është e vërtetë se më pastaj nuk mendon për hakmarjen. Por, ndërsa bën gjithë këtë zullum për një akuzë ndaj familjes së tij, të cilin ai më mirë se të gjithë e di se është vetëm një pjesëz e së të vërtetës, ai haron se edhe ata që u vranë me 21 janar kanë fëmijët e tyre, të afërmit, prindërit, kanë pasur ëndrrat dhe dëshirat e tyre..dhe për të gjithë këtë, askush deri më tash, nuk ia bëri fytyrën si shollë këpucësh, si i kërcënon ai të tjerët.
Dua të besoj se në PD ka ende njerëz të arsyeshëm, që, megjithëse do të shkojnë pas liderit “historik”, nuk do të duan të kenë të njëjtën histori me të, dhe sidomos, të njëjtin fund historik. Dua të besoj se, e gjithë ajo që ngriti SB në rrjetet sociale, në parlament, në media, në shfryrjet politike, i ngjan bitmës sw atij njeriu përmes pyllit të errët, për t’i dhënë zemër vetes, e njëkohwsisht për të mbajtur larg ankthin që i shtohet vazhdimisht.
Ata që mendojnë se SB është tjetësuar, është zbutur apo se ka mësuar diçka nga e djeshmja, janë të gabuar. Ai mbetet njeriu i kaosit, dhe nëse sot, 20 shkurt, nuk do të mund të bëjë më shumë se asgjë normale, kjo nuk do të jetë ëndrra e tij, por zhgënjimi, dhe, të egërsuarit kur zhgënjehen, bëhen edhe më të rrezikshëm.

0 comments:

Post a Comment

 
Top