Shumë nga minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri do t’i marrin sërish pensionet nga Greqia. 

Qeveria e Athinës vendosi të korrigjojë ligjin për pensionet, që jepeshin nga Instituti i sigurimeve, OGA. 

Nga ky Institut Sigurimesh përfitonin rreth 40 000 të moshuar, të cilët me ligjin e ri, që nga viti 2012 nuk e marrin më pensionin prej 360 eurosh. Nga këta, 17 000 janë minoritarë grekë të Shqipërisë dhe pjesa tjetër, të riatdhesuar nga Rusia. 

Nga heqja e pensioneve për 40 000 persona, vetëm në vitin 2013 u përfitua një tepricë prej 230 milionë eurosh. 

Ministria greke e Punës ka lehtësuar kriteret për dhënien e pensioneve. Ato do të merren nga të moshuarit mbi 67 vjeç dhe ndër të tjera ka zbritur në 10 vjet, kohën e nevojshme të qëndrimit në Greqi. Me lehtësimin e kritereve përfitojnë më shumë se gjysma e personave, rreth 22 000 vetë, por nuk bëhet e ditur shifra e saktë e minoritarëve grekë të Shqipërisë, të cilëve do t'iu rikthehet pensioni. 

Për të kufizuar shpenzimet, pensionet do të jepen gradualisht dhe do të kompensohet shuma e parave që përfituesi mund të marrë nga vendi i tij. Kështu, pensioni do të kapë shifrën deri në 214 euro këtë vit, 288 euro në vitet 2015-2016, për të arritur deri në 360 euro. Nëse përfituesi merr një pension, 55 € nga Shqipëria, shuma do t’i zbritet nga pensioni i OGA . 

Kjo lëvizje vjen edhe pas vizitës së presidentit grek Karolos Papulias në Shqipëri, ku ai u njoh me problemet ekonomike të minoritarëve. 

Sipas udhëzimeve të OGA, deri në fund të shkurtit të moshuarit duhet të kenë mbyllur librezat e tyre të shëndetit. 

0 comments:

Post a Comment

 
Top