Në rrethana krejt private, kam dëgjuar së fundi një prej arsyetimeve më të çuditshme në mbrojtje të kauzës se përse nuk duhej lejuar ardhja e ca kimikateve nga Siria në Shqipëri. Ajo atmosferë e atyre ditëve, është fashitur tashmë, zëvëndësuar nga të tjera kokëçarje që i kemi më shumicë, por herë-herës, ai zhvillim i papreçedent, me një frymë protestash që pa frikë mund të klasifikohen si një gur kilometrik në ndërgjegjen e zgjuar shqiptare, ribëhet pjesë debati, ngërthyer më së shumti nga teza stereotopie, pro apo kundër qofshin. Por një e e  tillë, që do e sjell në vijim, e që bën pjesë në kampin kundër, vështirë se do imagjinohej.
Po e riprodhoj përafërsisht atë ç`ka dëgjova me veshët e mij, nga një person tejet aktiv në protesta kundër ardhjes së armëve kmike siriane: Nuk kisha frikë armët, por Berishën. Mu fiskua se në psikopatinë e tij pa limit dhe në mungesën e çdo limiti moral në aksionin epshor politik të tij, do mund të ndodhte patjetër që ai të gjente një mënyrë për të shkaktuar një aksident me ato armë.
Si e qysh do arrinte ta bënte, nuk e kam analizuar. Fakti se ato armë apo lëndë kimike do ishin në një rregjim gati absolute sigurie, nuk kishte asnjë lloj fuqie logjike mbi faktin e bërë fiksim, se Berisha do ja dilte të bënte atë do dëshironte të bënte, për ta çuar në djall kundërshtarin, paçka se kjo mund të kishte dhe kosto njerëzore. Ja, kjo më bëri të dal e të kundërshtoj fort ato armë. Tek ato, shihja Berishën, sikur u afrohej me një fije të ndezur shkrepseje, gati për të provokuar çaste apokaliptike, por që për të mund të jenë idilike.
Ky ishtë pak a shumë arsyetimi i personit në fjalë, që gëzon një status jo të vogël në shoqëri, ku më e pakta është pedagoge universiteti. Sigurisht që është shumë surreal. Dhe nuk e sjell për të demonizuar me patjetër një figurë dominuese të politikës, dje e sot, e që patjetër dhe nesër sa të ketë frymën. Te jemi të sigurt për këtë. Ky rrëfim vlen vetëm për të bërë me dije një motivim krejt origjinal e të pazakontë të dikujt për t`u thënë jo armëve kimike, nisur jo nga përbërjet e rrezikshme të vetë lëndës, por nga reaksionet me bazë njerëzore!

0 comments:

Post a Comment

 
Top