-Prej shumë muajsh po diskutohet rritja e çmimit të biletës dhe aboneve të transportit urban qytetës. Në njërën anë është Sindikata e Transportit që ka zhvilluar dy greva, duke paralajmëruar edhe greva të tjera në të ardhmen, ndërsa në anën tjetër janë autoritetet shtetërore me Bashkinë e Tiranës që ia adresojnë problemin qeverisjes qendrore, dhe kjo e fundit që nuk bën transparencën e duhur. E gjitha kjo ngjan si një farsë, sepse palët duket sikur kanë rënë dakord. Nisur nga kjo situatë organizata civile dhe të rinj vullnetarë kanë hartuar një peticion për ndaljen e abuzimit me çmimet dhe eliminimit të informalitetit të biletave. Pavjo Gjini, vullnetar dhe anëtar i organizatës tregon se, të indinjuar nga kjo situatë, që prej ditës së premte ka nisur që të shpërndahen thirrje për nënshkrimin e peticionit nga çdo qytetar që ndjehet i cenuar. “Deri tani kemi mbledhur rreth 1000 firma dhe në ditët në vijim do të synojmë të mbledhim edhe të tjera për ta dorëzuar peticionin te Ministria e Transporteve. Jemi disa anëtarë të shpërndarë në disa grupe, përgjithësisht të rinj studentë që ndihemi të prekur dhe duam që të njerëzit të sensibilizohen për ta ndalur këtë padrejtësi. Ditën e enjte në orën 11:00 do të ketë edhe një protestë për këtë çështje”- shprehet Gjini. Duke parë që kohët e fundit presioni është rritur së tepërmi, nisma e të rinjve synon që me firmat e mbledhura nga qytetarët nëpër stacio-net e urbanëve të ndalë këtë fenomen. Kështu, flitet për një rritje të çmimit deri në masën 50 ose 70 lekë, por me subvencionimin nga shteti. Duket sikur institucionet shtetërore kanë rënë dakord tashmë, së paku për rritjen e çmimit deri në 50 lekë. Për qytetarët, rritja e çmimit të biletës dhe aboneve është e papërballueshme duke ditur se përdorimi i përhershëm i këtij shërbimi është një nevojë jetike që u mundëson atyre lëvizjen drejt vendeve ku janë punësuar dhe përmbushjen e nevojave ditore. Këta qytetarë duke mos pasur mundësi të tjera zgjedhje kërkojnë nga instancat përkatëse që kërkesat e drejtuesve të transportit publik të mos plotësohen, por të gjenden zgjidhje alternative që çmimi i biletës të mbetet i pandryshueshëm dhe shërbimi të jetë sa më cilësor. Organizata civile, me anë të një peticioni me 6 pika kyçe bën thirrje për çdokënd që mendon se mashtrimi me urbanët, grevat dhe kërkesat absurde janë farsa, t’i bashkohet nismës dhe kjo situatë të marrë fund njëherë e mirë. 
Peticioni 
Kërkesat me 6 pikat kryesore do të dorëzohen ditën e enjte te Ministria e Transporteve, ndërkohë që çdo ditë nëpër stacionet e urbaneve po mblidhen firma për të rritur fuqinë vendimmarrëse, që fenomeni i abuzimit të çmimit të biletës dhe abonesë të ndalet. Me anë të peticionit, organizata civile i bën thirrje gjithë qytetarëve që dëshirojnë të ndihmojnë këtë kauzë duke sjellë foto nga autobusët ku udhëtojnë, duke printuar dhe plotësuar peticionin me iniciativën e tyre personale apo duke iu bashkuar protestës në rrugë. 
1. Të mos rritet çmimi i biletës dhe aboneve 
2. Të bëhet falas për të gjithë njerëzit në nevojë akute, duke u shtuar përfituesve aktualë edhe të papunët, të punësuarit me pagë minimale dhe anëtarët e familjeve që marrin ndihmë ekonomike. 
3. Të përmirësohet cilësia e shërbimit, veçanërisht numër pasagjerësh për autobus dhe shpejtësia e transportit.
4. Të bëhen transparente kostot dhe fitimet e këtij shërbimi 
5. Të eliminohet informaliteti me biletat 
6. Të përmirësohen kushtet e punës për punonjësit e këtij shërbimi Pritet që mospërmbushja e kërkesave të përshkallëzojë më tej protestat deri në qëllimin e tyre final.
 Biletat e urbanëve, pa TVSH 
Makina që pret biletat në autobusët shqiptare mungon, por kjo është dhe kasa fiskale e një autobusi. Pra, mungon e vetmja mënyrë kontrolli për të vërtetuar nëse Shoqatat e Transporteve po vjedhin shtetin, madje në disa raste edhe veten për shkak të abuzimeve të brendshme nga ana e shoferëve dhe faturinove. Shoqata e Konsumatorëve Shqiptarë e konsideron mungesën e makinerisë së kontrollit të biletave si një evazion fiskal nga ana e kompanive të transportit. Shoqata argumenton se kompanitë e autobusëve para se të kërkojnë rritjen e çmimit të biletës, duhet të përmbushin kushtet e shërbimit për qytetarët. Sipas z. Cani në shërbimin urban mungon kodi i etikës si nga ana e shoferëve, ashtu edhe faturinove, respektimi i orareve dhe kushteve të tjera higjienike të automjetit. Vetë shoqata e autobusëve nuk e kërkon ta vendosë këtu fokusin e problemit. Ata minimizojnë vjedhjet në rastet e mungesës së makinës – kasë fiskale dhe përqendrohen te subvencionet që duhet t'iu jepte shteti. Shoqata e Transportit Urban në kryeqytet pretendon se kthimi i subvencioneve të papaguara nga shteti që prej vitit 2004, do të shërbejë për rritjen e cilësisë së shërbimit në transportin urban.  

0 comments:

Post a Comment

 
Top